Autoritetet italiane kanë arritur të vënë në pranga një 23-vjeçar shqiptar, i cili kishte pak muaj që kishte mbërritur në Terni.

Shqiptari kishte marrë një shtëpi me qera së bashku me një vajzë, ndonëse ky ishte i papunë.

Banorët e zonës kanë dyshuar për 23-vjeçarin, pasi sipas tyre, pranë shtëpisë së tij ndalonin persona të ndryshëm të veshur mirë, të cilët qëndronin vetëm pak minuta e më tej largoheshin.

Pas ndalimit të njërit prej këtyre “klientëve”, i cili konfirmoi se sapo kishte blerë drogën, agjentët ndaluan të riun në pragun e shtëpisë dhe e kontrolluan atë.

23-vjeçari shqiptar, me qëndrim të paligjshëm në Itali, gjithashtu kishte kryer dhe vepra të tjera penale. Atij ju gjetën 4 doza kokainë, 26 doza të tjera në tryezë në dhomën e ngrënies dhe një sasi prej 50 gram në tarracë. Gjithashtu, u gjetën edhe doza hashashi.

Shqiptarit ju gjetën edhe 1700 euro, të gjitha kartëmonedha 50-she si dhe një peshore elektronike dhe materiale për paketimin e drogës.

Ndaj shqiptarit është caktuar masa e sigurës arrest me burg deri më 22 shkurt, kur do të jepet vendimi përfundimtar i dënimit.