Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama, i cili u pyet nga gazetarja e “France24” lidhur me plagosjen e kryeredaktorit të PD-së, Bledi Kasmi në protestën e opozitës.

Rama u shpreh se dhuna ndaj gazetarit Bledi Kasmi nuk meriton të jetë në faqet e para të gazetave ndërkombëtare.

Përmes një statusi në “Facebook, Basha e cilësoi qëndrimin e Ramës si akt të dënueshëm dhe të rrezikshëm.

Reagimi i plotë i Bashës
Qëndrimi i Edi Ramës për dhunën e policisë ndaj gazetarit Bledi Kasmi si çështje e brendshme që nuk meriton vëmendjen e medias ndërkombëtare është i dënueshëm dhe i rrezikshëm. Me këtë qëndrim, Edi Rama vetë-demaskohet si kryepushtetari që nxit dhe mbron dhunën ndaj njerëzve të medias. Paprekshmëria e jetës dhe lirisë së individit dhe liria e shprehjes janë vlera universale dhe themeli i sistemit demokratik perëndimor dhe Bashkimit Europian.

Është e papranueshme jo vetëm për gazetarët dhe median e lirë shqiptare, jo vetëm për të drejtat e njeriut në Shqipëri, por edhe për aspiratën europiane të Shqipërisë të kemi një kryeministër të tillë që nuk ka lidhje me standartet minimale perëndimore por që ngjan si dy pika uji me autokratët injorantë dhe të dhunshëm të Lindjes. Edi Rama është sot pengesa kryesore e përparimit dhe integrimit europian të Shqipërisë.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook

LEXO EDHE:  Arsimtarët paralajmërojnë bojkotim të procesit mësimor, ja kur do të fillojë aksioni