Komisioni Europian ka përllogaritur një rritje ekonomike të Shqipërisë prej 4.0% gjatë vitit 2017.

KE dha një deklaratë për mediat ku në raportin ekonomik ishin vendet anëtare dhe ato kandidate të Bashkimit Evropian.

Sipas raportit të publikuar ditën e sotme, ndikim të madh në rritjen e ekonomisë në Shqipëri kanë pasur investimet e huaja në sektorin energjetik dhe kërkesa e brendshme si pasojë e rritjes së pagave dhe punësimit.

”Investimet e huaja direkte në sektorin e energjisë janë në kulm duke sjellë një përshpejtim të veprimtarive ekonomike gjatë vitit të fundit. Eksportet vazhdojnë të rriten me ritëm të shpejtë duke përfituar nga turizmi dhe nga përforcimi i ekonomive të partnerëve kyç tregtarë. Rritja e punësimit dhe pagat më të larta kanë rritur konsumin e brendshëm. Investimet dhe konsumi mbështeten nga një politikë monetare akomoduese. Inflacioni është i ulët, por i projektuar të rritet gradualisht drejt objektivit zyrtar. Pozicioni i politikës fiskale po e pakëson vetëm ngadalë nivelin e lartë të borxhit publik në raport me PPB-në”, thuhet në raportin e KE-së.

”Kontribuesit kryesorë të rritjes ishin investimet dhe eksportet. Formimi i kapitalit fiks u forcua me 12,9 për qind  duke reflektuar pikun e periudhës së investimeve të huaja direkte në seksionin shqiptar të TAP-it dhe një projekti të gjerë të hidroenergjisë. Eksportet u rritën me 15 për qind falë një turizmi në zgjerim dhe rikuperimit të eksportit të mallrave pas tri vjetësh tkurrje”, shtohet në të.

”Importet, që i tejkalojnë eksportet me thuajse 50 për qind, u rritën në mënyrë më të moderuar me një nivel prej 5,8 për qind. Rritja e konsumit publik pati një rritje gjallëruese 6,6 për qind, sidomos përsa i takon pagave, sigurimeve shoqërore dhe buxheteve lokale. Rritja e konsumit privat, nga ana tjetër, ishte relativisht e tkurrur me 2,1 për qind, ndoshta duke reflektuar pasigurinë politike për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit”, theksonte raporti.

LEXO EDHE:  Raporti i Freedom House: Demokracia në Shqipëri në vend-numëro, shqetësime për prirje autoritare në qeverisje

”Besimi i konsumatorëve po përmirësohet, punësimi po rritet në një pikë të kënaqshme dhe niveli i përgjithshëm i pagave është rritur me 10 për qind, në një pjesë të madhe të sektorit publik në mars. Kjo pritet që ta rrisë konsumin privat me 3 për qind në dy vitet e ardhshme në krahasim me një rritje të moderuar në 2017-n. Përkundrazi, formimi i kapitalit fiks, ka gjasa të bjerë substancialisht vitin e ardhshëm, teksa dy projekteve të mëdha energjetike po u vjen fundi i tyre. Investimet në strukturat e turizmit dhe në sektorin minerar, gjithsesi, pritet ta mbajnë relativisht të lartë rritjen. Rritja e konsumit publik pritet të jetë e moderuar në dy vitet e ardhshme pas pikut të 2017-s”, sipas raportit ekonomik për vendet anëtare dhe ato kandidate të Bashkimit Evropian, të publikuar sot, Komisioni Evropian.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook