Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka reaguar në lidhje me Kongresin e PS-së të mbajtur sot në sheshin “Nënë Tereza”.

Sipas Manjanit, nëse duam që të këtë pluralizëm dhe dialog politik, atëherë së pari duhet  që pushteti legjislativ të jetë pluralist dhe  të funksionojë jo me fjalë, por me veprim konkret dhe pa opozitarë të blerë.

“Ai me koalicionin e karrikeve bosh në shesh deklaron se i fiton zgjedhjet përballë opozitës së bashkuar. Shumë mirë! Le të shpallë zgjedhjet dhe ta provojë këtë që thotë me rezultat zgjedhor jo me llafe. Të hyjmë në zgjedhje me këtë Kod dhe me atë Kryeministër, pa asnjë problem.

Në i fitoftë e gëzoftë! Por nëse duam që vendi të ketë pluralizëm e dialog politik në radhë të parë duhet të kemi një Parlament pluralist.

Ky parlament mund të ngrihet tashmë vetëm me zgjedhje, jo me llafe, as me sondazhe, as me opozitarë të blerë, as me karrema proceduralë e aq më pak me kongrese të modelit Kim Jong! Zgjedhjet janë zgjidhja! Dhe zgjedhjet politike Parlamentare jo lokale. Këto të fundit skanë tashmë asnjë rëndësi! Duhet ta ndajë vota kush ka të drejtë Ai që bën kongres partie për të shkatërruar Muzeun Historik e Teatrin e kukullave, apo opozita që thjesht po kërkon DEMOKRACI?! Në emër të popullit pa popull nuk mund të flitet më!”, shkruan Manjani në ‘Facebook’.