Koreja e Veriut ka reaguar sot ndaj paralajmërimeve më të fundit të Presidentit Trump, duke rritur dhe më tepër tensionet me Shtetet e Bashkuara.

“SHBA e gjejnë veten në mesin e dileme që po vjen duke u keqësuar, e mbërthyer në një ankth të jashtëzakonshëm për sigurinë nga Republika Popullore Demokratike e Koresë së Veriut. Kjo është një tragjikokomedi e krijuar vetë prej atyre”, thuhet në një artikull editorial të botuar të shtunën në gazetën Mi nju Joson të Koresë së Veriut.

Më tej artikulli vazhdon: “Ushtria e fuqishme revolucionare e Republikës së Koresë është e fuqishme për të luftuar çdo lloj lufte që kërkojnë Shtetet e Bashkuara dhe është në gatishmëri për të sulmuar trojet amerikane, në pritje të një urdhëri për sulm. Në se administrata Trump nuk dëshiron të përballet me një fund tragjik, ajo duhet të veprojë siç duhet.”

Këto komente nga Koreja e Veriut vijnë pas ashpërsimit të retorikës mes SHBA dhe Koresë Veriut.

Dje Presidenti amerikan Donald Trump bëri komente të reja në Twitter, kur tha se “zgjidhjet ushtarake janë tani plotësisht gati,” nëse regjimi i Kim Jong Un-it “bën veprime të pamatura”.

Dje Presidenti Donald Trump tha se udhëheqësi i Koresë së Veriut do të “pendohet shpejt” nëse kërcënon ose vepron kundër Guamit, apo ndonjë territori tjetër të Shteteve të Bashkuara apo aleat.

Në komentet e bëra të premten pasdite në Bedminster të Nju Xhersit, Presidenti Trump tha se dhjetëra miliona amerikanë mbështesin qëndrimin e tij të ashpër ndaj kërcënimit bërthamor të Koresë së Veriut.

LEXO EDHE:  Rriten tensionet në gadishullin korean, SHBA nis stërvitje raketore pranë Koresë së Veriut

Pas disa ditë kërcënimesh të ashpra ndaj Koresë së Veriut, Presidenti Trump ia drejtoi paralajmërimin e tij të premten udhëheqësit të vendit komunist, Kim Jong Un.

Zoti Trump iu përgjigj njoftimeve të Koresë së Veriut se ajo ka plane për të hedhur raketa pranë ishullit Guam. Guami është strehë e një baze ajrore dhe e një instalimi detar amerikan me një personale ushtarak prej 7 mijë vetësh.

“Të shohim çdo të bëjë me Guamin. Nëse bën diçka, ajo që do t’i ndodhë Koresë së Veriut, do të jetë një ngjarje që askush nuk e ka parë ndonjëherë.”

Presidenti nuk pranoi të specifikonte se cila do të jetë përgjigja e Shteteve të Bashkuara. Por në një konferencë për shtyp, ai tha se Shtetet e Bashkuara kanë modernizuar arsenalin e tyre bërthamor për të siguruar që Amerika mbetet vendi më i fuqishëm bërthamor në botë.

Ai tha gjithashtu se do të investohen miliarda dollarë për të rritur sistemin e mbrojtjes nga raketat dhe për të modernizuar më tej ushtrinë amerikane:

“Askush, përfshi Korenë e Veriut, nuk do të na kërcënojë ne për asgjë.”

Zoti Trump tha gjithashtu se armët bërthamore janë kërcënimi më i madh në botë dhe do të donte eliminimin e tyre.

“Do të doja që Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, Pakistani dhe shumë vende të tjera që kanë armë bërthamore t’i eliminonin ato.”

Por derisa ta bëjnë këtë, presidenti Trump premtoi se Shtetet e Bashkuara do të jenë vendi bërthamor më i fuqishëm në botë.