Më në fund u zgjodhën gjashtë anëtarët e Këshillit, që i hap rrugë krijimit të Prokurorisë Speciale, institucion që do të hetojë korrupsionin në nivele të larta.

Procesi i votimit nisi në orët e para të mëngjesit, për të përfunduar në mbrëmje vonë. Në garë për gjashtë vende, ishin 10 kandidatë nga të gjitha nivelet.

U bënë publike edhe emrat e të votëbesuarve, që së bashku me pesë anëtarët joprokurorë të zgjedhur prej një viti, do të marrin në duar frerët e prokurorisë shqiptare. Nga prokuroria e Përgjithshme, u zgjodh Kosta Beluri, i cili doli fitues përballë Anila Lekës.

Prokurorët e Apeleve, Arben Dollapaj dhe Bujar Sheshi u shpallën automatikisht fitues, përderisa nuk kishin konkurrentë në garë.

Mes tyre, më shumë vota grumbulluan  Antoneta Sevdari, Gentian Osmani dhe Besnik Cani, duke zënë kështu tri vende në Këshill. Dritan Prenci, Besnik Muci dhe Vate Staka, nuk i bindën dot kolegët për ti votëbesuar si anëtarë të qeverisë së institucionit të akuzës.

Një nga detyrat parësore, që Këshilli duhet të përmbushë është hapja e garës për Prokuror të Përgjithshëm, post që mbahet përkohësisht prej një viti nga Arta Marku.