Vetëm pak minuta më parë, Gjykata për Krime të Rënda, shpalli fajtor ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Gjykata vendosi ta dënojë me 5 vite burg vetëm për shpërdorim detyre. Me gjykim të shkurtuar dënimi ulet në 3.4 vite shërbim prove. Ish ministri është shfaqur i çliruar pasi gjykata ka bërë të njohur vendimin ndaj tij, ndërsa e ka konsideruar atë si absurd. “Isha më i qartë kur hyra sesa tani kur dola. Më duhet ta kuptoj të gjithën. Është si të shkosh në një provim që mësuesja të thotë ke mësuar shumë mirë por hajt se po të vë një 5. Më thanë se nuk je trafikant po meqë i ke kushërinj ke shpërdoruar detyrën. Si t’ja bëj unë, duhet të mbajmë përgjegjësi për të gjithë kushërinjtë idotë. Për dy vite keni ndjekur procesin e shekullit. U katandis kokoshi në një thelë” tha zoti Tahiri para gazetarëve.”Ruani veten nga kushërinjtë!” ironizoi ai vendimin e gjykatës. Sipas vendimit ish ministrit  i hiqet e drejta që për 5 vite të kryejë funksione publike. Prokuroria kërkoi 12 vite burg. Tahiri u akuzua për tre vepra të rënda penale. Që prej momentit të parë Tahiri ka kërkuar pafajësi duke hedhur akuza për një proces gjyqësor të montuar dhe pa prova kundër tij.