Filmi më i ri i “Joker” me protagonist Joaquin Phoenix është kritikuar ende pa dalë në kinema.

Megjithëse premiera e tij vjen javën e ardhshme, kritikët dhe komunitete të ndryshme njerëzish kërkojnë që ky film të mos transmetohet pasi mund të rrisë numrin e vrasjeve kudo.

Filmi ka në qendër një komedian të dështuar që shndërrohet në një vrasës serial i maskuar si Joker-i. Personazhi përcillet në mënyrë të tillë që publiku ta dojë, të kuptojë dhimbjen e tij e në të njejtën kohë të justifikojë vrasjet.

Megjithëse “Warner Bros” ka reaguar duke thënë se nuk kanë qëllim ta kthejnë këtë personazh në hero, shqetësimet për premierën e tij janë të mëdha.

Kjo, për shkak të vrasjes masive të vitit 2012 në Kolorado gjatë premierës së filmit “Batman: The Dark Knight Rises” ku 12 njerëz u vranë në kinema dhe dhjetra të tjerë u plagosën.