Ballina Kronike Çfarë po bëhet me “Tahirin” dhe “Shullazin”? Pas akuzave publike nga 10...

Çfarë po bëhet me “Tahirin” dhe “Shullazin”? Pas akuzave publike nga 10 prokurorët Marku jep përgjigje

Ditët e fundit Prokuroria për Krime të Rënda ka kaluar një situatë të tensionuar pas refuzimit të disa prokurorëve për të qenë pjesë e shortit për të marrë në dorëzim dosjen “Shullazi”.

Kundërshtitë e prokurorëve janë agravuar deri në debate me tone të ashpra me drejtuesen e Prokurorisë Donika Prela, aq sa kjo e fundit thërriti policinë një ditë më parë.

Ndërkohë, lidhur me situatën, Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku vendosi nisjen e hetimit disiplinor ndaj prokurorëve të cilët e cilësuan vendimin e saj antiligjor dhe hakmarrje.

Por, kundër letrës së 10 prokurorëve për ambasadat dhe opinionin publik, Marku u përgjigj me një tjetër letër ku ajo i drejtohet qytetarëve të vendit.

“Prokurorët e Krimeve të Rënda, ndaj të cilëve është urdhëruar fillimi i hetimit disiplinor, kanë refuzuar të marrin pjesë në hedhjen e shortit, për të përfaqësuar në gjykim një çështje shumë sensitive për opinionin publik. Në këtë mënyrë, këta prokurorë kanë vepruar në kundërshtim me ligjin që i detyron të jenë pjesë e shortit, për sa kohë janë prokurorë të asaj prokurorie”, thuhet në letrën e Markut.

Lidhur me shqetësimin e ngritur për çështjet “Tahiri” dhe “Shullazi”, ajo ka dhënë sqarime në letrën publike. Marku thotë se për të dyja çështjet janë caktuar prokurorë që po vijojnë procesin.

“Për çështjen Shullazi ku një grup i caktuar prokurorësh refuzuan të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre kushtetuese dhe ligjore, është caktuar një grup prokurorësh për të përfaqësuar akuzën në gjykim. Po ashtu, një grup tjetër prej 4 prokurorësh po merret me çështjen Tahiri, nga momenti i regjistrimit të saj. Të dashur qytetarë, Për sa keni dëgjuar këto orët e fundit nga mediat dhe rrjetet sociale, nuk ka një të vërtetë tjetër përveç kësaj që unë sapo ju deklarova”, thuhet më tej.

LEXO EDHE:  Gjykata liron 3 kuksianët që protestuan në Rrugën e Kombit

Drejtuesja e organit të akuzës paralajmëron se “çdo prokuror që refuzon të bëjë detyrën do përballet me përgjegjësi disiplinore, por edhe penale sipas rastit”.

Letra e plotë:

Të dashur qytetarë të vendit tim, Në këto pak orë të ditës, duke filluar nga dje, e ndiej se si qytetarë të përgjegjshëm, jeni të shqetësuar nga një situatë absurdi dhe e pahijshme që është tentuar të krijohet në Prokurorinë më të rëndësishme të vendit, Prokurorinë për Krime të Rënda. Me përgjegjësinë e detyrës që më ka ngarkuar Kushtetuta dhe ligji, kam detyrimin institucional dhe qytetar për të komunikuar dhe ndarë me ju dhe me këdo që i do të mirën këtij vendi, por edhe miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë që asistojnë punën e institucionit të Prokurorisë në të gjitha nivelet, të vërtetën e kësaj situate të sajuar nga frika e përballjes me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, pa dallim. Të dashur qytetarë, Unë jam në detyrë me mandat të përkohshëm, por krimi i organizuar dhe korrupsioni ka mandat të përhershëm dhe punon me kohë të plotë. Për këtë arsye, është në detyrimin tim ligjor që të marr masat e nevojshme ligjore për cilindo Prokuror apo Oficer të Policisë Gjyqësore që refuzon pa asnjë shkak ligjor, të ushtrojë detyrën dhe funksionin e tij kushtetues, për të luftuar kriminalitetin dhe krimin e organizuar në veçanti dhe, për më tepër, në Prokurorinë më të rëndësishme në vend. Prokurorët e Krimeve të Rënda, ndaj të cilëve është urdhëruar fillimi i hetimit disiplinor, kanë refuzuar të marrin pjesë në hedhjen e shortit, për të përfaqësuar në gjykim një çështje shumë sensitive për opinionin publik. Në këtë mënyrë, këta prokurorë kanë vepruar në kundërshtim me ligjin që i detyron të jenë pjesë e shortit, për sa kohë janë prokurorë të asaj prokurorie, duke vepruar në kundërshtim të hapur me detyrimin kushtetues, sipas të cilit “Prokuroria ushtron ndjekjen penale, si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit…”. Kjo, si dhe shkelja e rregullave të etikës, janë arsyet e vetme që më kanë detyruar që, si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme të qëndroj fort dhe të mos tërhiqem në zbatimin e kushtetutës dhe ligjeve të vendit tim, duke urdhëruar fillimin e hetimit disiplinor sipas përcaktimeve të nenit 160, pika 5 të ligjit nr.96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, ndaj këtyre prokurorëve që kanë refuzuar të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre që ju ngarkon kushtetuta dhe ligji. E ndjej si përgjegjësi kushtetuese por edhe si detyrim qytetar, t’ju garantoj, se përsa kohë do të jem në detyrën që më ka ngarkuar Parlamenti shqiptar, sovrani im dhe i juaji, të dashur qytetarë të vendit tim, unë jam e vendosur për të zbatuar pa hezitimin më të vogël Kushtetutën, ligjet në fuqi dhe Kodin e Etikës së Prokurorit dhe nuk mund të rri duarkryq kur prokurorët e shtetit refuzojnë të ushtrojnë funksionet e tyre kushtetuese dhe ligjore. Çdo prokuror që refuzon të bëjë detyrën do përballet me përgjegjësi disiplinore, por edhe penale sipas rastit. Gjej rastin të falenderoj të gjithë prokurorët e ndershëm të sistemit të prokurorisë, por edhe ata prokurorë të Krimeve të Rënda që vazhdojnë të jenë në lartësinë e ushtrimit të detyrës që iu ka ngarkuar Kushtetuta dhe ligji dhe t’i garantoj se si Prokurore e Përgjithme, për aq kohë sa do të jem në këtë detyrë të lartë dhe fisnike, do të jem gjithmonë krah tyre në këto ditë të vështira që po kalon sistemi. Së bashku do të vazhdojmë përballjen tonë me krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe me të keqen e këtij vendi, pa asnjë lloj ngjyre. Unë do të vazhdoj me ju krah për krah, të bëj detyrën time, me profesionalizëm dhe ndershmëri dhe dua të garantoj qytetarët shqiptarë se vendimmarrja ime nuk ka cënuar asnjë çështje, qoftë në hetim apo në gjykim, në Prokurorinë për Krime të Rënda. Për çështjen Shullazi ku një grup i caktuar prokurorësh refuzuan të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre kushtetuese dhe ligjore, është caktuar një grup prokurorësh për të përfaqësuar akuzën në gjykim. Po ashtu, një grup tjetër prej 4 prokurorësh po merret me çështjen Tahiri, nga momenti i regjistrimit të saj. Të dashur qytetarë, Për sa keni dëgjuar këto orët e fundit nga mediat dhe rrjetet sociale, nuk ka një të vërtetë tjetër përveç kësaj që unë sapo ju deklarova. Gjithcka tjetër është spekulim dhe frikë nga përballja me krimin e organizuar. Prokurorët e ndershëm që ka Shqipëria sot, më shumë se kurrë, kanë nevojë jo vetëm për mbështetjen time, por edhe tuajën dhe unë jam e bindur se jemi në anën e duhur, jemi në anën e të mirës. Së bashku do ta fitojmë betejën me krimin. Faleminderit!

LEXO EDHE:  "Tahiri nuk do t'i shpëtojë drejtësisë", flet Lulzim Basha pas takimit me Lu dhe Vlahutin