Ballina Aktualitet Dështon gjyqi i Shullazit, seanca shtyhet për të nëntën herë

Dështon gjyqi i Shullazit, seanca shtyhet për të nëntën herë

Gjykata e Krimeve të Rënda ka shtyrë për të nëntën herë seancën, ku ditën e sotme pritej të jepej pretenca për Emiljano Shullazin dhe grupin e tij.

Në seancën e paradites së sotme, është shfaqur i plotë grupi i prokurorëve, i përbërë nga Donika Prela, Gentian Osmani, Besnik Muçi dhe Anton Martini.

Por seanca u shty sërish për në 2 tetor, kur do të mësohet dënimi që do të kërkojë organi i akuzës. Gjithçka pasi mungonte avokati i të pandehurit Blerim Shullazi, me pretendimin se kishte një të afërm në gjendje kritike për jetën.

Sakaq gjatë seancës së sotme, Gjykata e Krimeve të Rënda u “blindua” nga rreth 150 efektivë policie.

Grupi i Emiljano Shullazit akuzohet për krijimin e grupit të strukturuar kriminal, kanosje për shkak të detyrës ndaj rektorëve Mynyr Koni dhe Dhori Kule.

Gjithashtu ata akuzohen edhe për shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie kundër Ylvi Beqjes për ish-hotel “Vollgën” në Durrës. Shullazi dhe anëtarët e tij të bandës Gilmando Dani, Blerim Shullazi, Endrit Zela dhe Endrit Qyqja, rrezikojnë 15 vite burg.

Kujtojmë se Prokuroria u përfshi në kaos, ku pas largimit të Elisabeta Imeraj, e cila u komandua në krye të Prokurorisë së Tiranës dhe Eneid Nakuçi, me pretendimin se është sëmurë, ku prokurorët e tjerë refuzuan hedhjen e shortit.

Kjo bëri që kryeprokurorja Arta Marku, të nisë hetimin disiplinor për dhjetë prokurorë, teksa tre prej tyre i transformoi në rrethe.