Ballina Aktualitet INVESTIGIMI/ Zbulohet skema: Si urdhëron OSHEE mbifaturimin e konsumatorëve për të mbuluar...

INVESTIGIMI/ Zbulohet skema: Si urdhëron OSHEE mbifaturimin e konsumatorëve për të mbuluar humbjet

Fatos Krasniqi është 53 vjeç, kryefamiljar dhe i papunë prej disa vitesh. Ai thotë se situata e familjes së tij është shumë e vështirë dhe prej 1 muaji kanë mbetur edhe pa energji elektrike.

“Ne jemi fukarenj, nuk kemi drita. Mendojmë se kemi mbifaturim, në muajin mars 2017 na ka ardhur një faturë ku tregon se jemi debitorë për shumën 1.5 milion lekë [të vjetra],” tha Krasniqi gjatë një interviste për BIRN në muajin dhjetor.

Krasniqi shprehet se ka shkuar në shumë zyra të kompanisë dhe të institucioneve të tjera, edhe në atë të Entit Rregullator të Energjisë, por kudo ku ka shkuar e kanë kthyer mbrapa dhe i kanë thënë që të paguajë shumën.

“Kemi një muaj pa drita, i lutemi të na japin zgjidhje sepse kam vajzën shtatzënë, tani është dimër,” shtoi ai, i cili më pas tregon se dhe vetë ka një gjendje shëndetësore të rënduar.

Rasti i Krasniqit nuk është i izoluar. Në zyrat e Kujdesit të Klientëve pranë njësisë qendrore të OSHEE radha e ankesave është e gjatë. Vetëm gjatë vitit që shkoi kompania mori 62 mijë ankesa me pretendime për keqfaturim.

Sipas OSHEE-së keqfaturimi ndodh në raste “sporadike, kryesisht si gabim teknik i lexuesve ose papërgjegjshmëri e tyre, ose ne rastet kur nuk kanë shkuar rregullisht sipas grafikut të përcaktuar për leximin e abonenteve.”

Por ndryshe nga çfarë pretendon kompania, dokumente dhe dëshmi nga zyrtarë, ish zyrtarë dhe faturistë të OSHEE-së të siguruara nga BIRN, ngrenë dyshime se disa drejtori rajonale të kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike i mbifaturojnë qytetarët në bazë të një plani mujor që shpërndahet nga zyrat qendrore dhe ka për qëllim të fshehë humbjet në rrjet dhe të përmirësojë treguesit e kompanisë.

Të dhënat e siguruara nga BIRN, tregojnë se kompania është nën hetim nga Prokuroria, pasi dyshohet se zyra qendrore e saj qëndron pas mbifaturimit të një numër qytetarësh në Shkodër.

E pyetur nga BIRN për akuzat se mbifaturon në mënyrë masive abonentët, OSHEE i hodhi poshtë si të pavërteta.

Plani i rimëkëmbjes
Në vitin 2009 grupi çek CEZ bleu kompaninë shtetërore të shpërndarjes së energjisë elektrike në Shqipëri duke paguar 102 milionë euro për 76 për qind të aksioneve, ndërsa premtoi të investonte 200 milionë euro brenda katër viteve.

Pavarësisht premtimeve për investime, kompania çeke e thelloi gropën e borxheve dhe në janar 2013 humbi licencën pas një konflikti me qeverinë shqiptare – për shkak të humbjeve të mëdha teknike dhe vjedhjes së energjisë në rrjetin e shpërndarjes. Pas vendimit të heqjes së licencës, ERE emëroi një administrator të përkohshëm në krye të kompanisë.

CEZ për rrjedhojë nisi një proces arbitrazhi kundër Shqipërisë duke kërkuar 150 milionë euro dëme për prishjen e kontratës dhe shpronësim të paligjshëm. Pas ardhjes në pushtet qeveria e qendrës së majtë e udhëhequr nga kryeministri Edi Rama ra dakord në verën e vitit 2014, t’i paguante grupit CEZ, 95 milionë euro për të rimarrë pronësinë e kompanisë.

Andi Halluni, i cili ka punuar si drejtues i njësisë së OSHEE-së në Shkodër për dy vjet, nga nëntori i vitit 2013 deri në dhjetor të 2015, kujton se pas konfliktit me CEZ dhe si rrjedhojë e keqmenaxhimit, asetet e kompanisë ishin tërësisht të amortizuara.

“Kushtet e punës kanë qenë skandal! Asgjë në magazinë! Pjesa më e madhe e punonjësve rrinin në shtëpi dhe merrnin rrogat,” kujton Halluni.

Në shkurt 2015, qeveria shqiptare shpalli ‘Planin e Rimëkëmbjes së Energjisë Elektrike,’ i cili premtonte reduktimin e humbjeve në sektorin e energjisë elektrike me 5% në vit, duke filluar nga 37.6% në vitin 2014 në vetëm 8 për qind në vitin 2020.

Halluni kujton se kur mori përsipër detyrën e drejtorit të njësisë së Shkodrës, u mundua të rikthente besimin te qytetarët.

“Kisha përgjegjësi për dy çështje, faturimin dhe uljen e humbjeve në rrjet,” tha ai, duke shtuar se në atë kohë Shkodra ishte ndarë në dy zona influence.

“Një pjesë ishte ndarë për punonjësit e ndërmarrjes dhe një pjesë për “të fortit” e Shkodrës. Ata mbanin bizneset, baret, lokalet dhe merrnin një koutë mujore. Faturimi për ta ishte zero nga ana e OSHEE-së,” kujton Halluni.

Në mes të rrugës që nisi për ta rimëkëmbur njësinë e tij Halluni u detyrua të lerë detyrën, pasi parimet e menaxhimit të kompanisë nga lart me ato të tij filluan të mos përputheshin.

Skema e mbifaturimit
Në tetor 2014, qeveria shqiptare nisi një valë arrestimesh të qytetarëve të ndryshëm të akuzuar për vjedhje të energjisë elektrike.

Të dhënat e marra nga BIRN nga sistemi i drejtësisë tregojnë se në periudhën shtator 2014 – qershor 2015, mbi 2600 syresh u akuzuan për vjedhje të energjisë elektrike. Frika e gjithëpërhapur duket se u shpërblye me rritje të pagesave të faturave të prapambetura, duke ulur humbjet e OSHEE-së dhe duke rritur të ardhurat.

LEXO EDHE:  VIDEO/ Skandali i mashtrimit miliona euro, nis bllokimi i pikave të ‘GULF’

Por të dhënat e marra nga Enti Rregullator i Energjisë Elektrike, ERE, përmes një kërkese për të drejtë informimi tregojnë se reduktimi i humbjeve në sektorin e shpërndarjes efektivisht ka ngecur që nga ajo kohë. Në vitin 2016 humbjet ishin 28% ndërsa në periudhën janar-gusht 2017, humbjet ishin 27.5%.

Për vitin 2016, objektivi i qeverisë ishte reduktimi i humbjeve në 26% ndërsa për vitin 2017 humbjet duhej të reduktoheshin në 21%. Ecuria e keqe e dy viteve të fundit e ka bërë të vështirë arritjen e objektivave për vitet 2018-2020.

Sipas Andi Hallunit, ndërsa reforma për reduktimin e humbjeve në rrjet filloi të ngecte, OSHEE filloi të aplikonte në Shkodër një skemë mbifaturimi ndaj konsumatorëve familjarë, duke i fryrë faturat e energjisë elektrike me energji të palexuar.

Ish drejtori tregon se pasi faturistët dërgonin leximet e abonentëve për secilin muaj, përpara se të lëshonte faturën me vlerat respektive, zyra qendrore e OSHEE-së në Tiranë llogariste humbjet për secilin rajon ose çdo njësi dhe pastaj i frynte faturat e qytetarëve për të ulur humbjet.

“E llogaritin sa blerje ka bërë rajoni ose çdo njësi, sa ka faturuar dhe sa ka shitur, aty del i saktë rezultati i humbjeve në rrjet,” shpjegoi Halluni.

“Pjesa drejtuese bashkëpunonte për të rritur kilovatët aq sa kanë pasur ata nevojë dhe për të rregulluar humbjet në mënyrë abuzive, duke ia mbifaturuar abonentëve,” shtoi ai.

Matja e nivelit të humbjeve del si rezultat i energjisë që është hedhur për konsum nga kompania e shpërndarjes minus energjinë e faturuar. Kjo tregon se një pjesë e saj ka shkuar dëm për shkak të amortizimit të rrjetit e një pjesë tjetër për shkak të vjedhjes.

“Ata kanë llogaritur sa mijëra kilovat i duhen për të çuar rezultatin aty ku kanë pasur ata dëshirë, i kanë futur në sistem në kompjuter dhe kompjuteri i shpërndan,” tha ish drejtori i njësisë së Shkodrës.

Sipas Hallunit, pasi filloi procesi i mbifaturimit në Shkodër, filluan të dalin probleme dhe shumë qytetarë u ankuan, madje dhe bënë padi në polici dhe prokurori.

“Ata thonë që nuk është mbifaturim, por keqfaturim. Pra një gabim i faturuesve. Por përse ndodhin vetëm gabime keqfaturimi me mbifaturime? Pse nuk ndodhi njëherë keqfaturim për t’i çuar faturën zero atij që ka konsumuar 1000 kilovat?” pyet ish drejtori.

Pikëpyetjet që e mundojnë Hallunin shqetësojnë disa prokurorë në rrethin gjyqësor Shkodër, të cilët kanë hetuar paditë e qytetarëve për mbifaturim nga OSHEE.

“Në bazë të asaj që më sqaruan prokurorët të cilët kanë nisur hetimet për këto çështje, nga hetimet e kryera në Shkodër rezulton se nuk ka përgjegjësi këtu, por mbifaturimi është bërë nga drejtoria qendrore në Tiranë, për këtë arsye çështjet ia kemi kaluar Prokurorisë së Tiranës,” shpjegoi Anton Martini, drejtuesi i Prokurorisë së Shkodrës.

Martini i tha BIRN se vetëm gjatë vitit 2017 ka pasur 8 kallëzime nga qytetarë të këtij qarku kundër kompanisë OSHEE për çështjet e mbifaturimit të energjisë elektrike, të cilat i kanë kaluar për kompetencë Prokurorisë së Tiranës.

E pyetur nga BIRN mbi akuzat e Hallunit, në një përgjigje me shkrim OSHEE mohoi se një skemë e tillë mbifaturimi të ekzistonte.

Mbifaturim me plan mujor?
Dokumentet e siguruara nga BIRN zbulojnë se OSHEE shpërndan në drejtoritë rajonale një plan mujor për faturuesit. Një burim konfidencial, në pozicion drejtues në kompaninë OSHEE, deklaroi se çdo muaj drejtori i shitjeve shpërndan te lexuesit një shkresë mbi nivelin e sasisë së energjisë që është hedhur atë muaj në rrjet dhe planin që duhet të përmbushë faturuesi. Letra lëshohet nga drejtori dhe firmoset vetëm nga lexuesi.

“Ekipet e faturimit të energjisë marrin çdo muaj planin mujor nga shefi i tyre për të faturuar energjinë elektrike. Plani tregon sasinë e energjisë që është hedhur në rrjet në fiderat që mbulon ai lexues dhe nivelin që duhet të faturohet.” tregon zyrtari i OSHEE-së.

Dokumente të tjera tregojnë se si lexuesve në drejtori të ndryshme rajonale u shkon niveli i faturuar nga sistemi përpara se të nisin leximin e matësve. Në shumë raste vlera e printuar nga sistemi është më e lartë se ajo që faturuesit lexojnë në matës.

Sipas fotove të siguruara nga matësa të ndryshëm dhe nga plani i sistemit informatik me numër kontrate që u shkon lexuesve, rezulton që për shumë familje mbifaturohen.

Në një dokument të siguruar nga BIRN, tregohet se si një pjesë e kontratave janë faturuar nga sistemi me vlera shtesë që shkojnë në disa qindra kWh më shumë se sa rezultojnë në matës.

“Printimi i këtyre kilovatëve që i shkon faturistëve bëhet përpara se të ndodhë leximi i matësit.” shpjegoi për BIRN një lexues, i cili në kushtet e anonimatit vuri në dispozicion faksimilet e dokumenteve.

LEXO EDHE:  Elvana Gjata më seksi se kurrë, me të kuqe dhe dekoltenë zbuluar këngëtarja 'çmend' fansat

I njëjti burim tha për BIRN se pothuajse çdo muaj, i shkon një listë me rreth 250 rilexime që duhet të bëjë për matësat që rezultojnë me rënie konsumi, por edhe nëse konsumi është i njëjtë pas verifikimit, sërish faturat për abonentët shkojnë më të larta se ato që ai i dërgon zyrës rajonale.

“Edhe fotot që dërgojmë pranë zyrave tona na janë fshirë në shumicën e rasteve”. shton ai.

E pyetur nga BIRN për planet mujore që i shpërndahen faturistëve, OSHEE u shpreh se ato kanë si qëllim uljen e abuzimeve.

“Si çdo kompani, edhe OSHEE ka planet e saj të realizimit të nivelit të humbjeve teknike dhe jo-teknike. Këto objektiva shërbejnë si elemente orientues dhe frenojnë çdo lexues të keqfaturojë abonentët mbi një trend konsumi historik,” tha OSHEE në një përgjigje me shkrim.

“Duke e orientuar leximin mbi një plan historik të konsumit, minimizohen abuzimet e mundshme,” shtoi kompania.

Auditet ngrenë dyshime
Vlera e faturimit të energjisë elektrike nuk lidhet me atë të arkëtimit, pasi e rëndësishme është që kompania ta ketë të identifikuar konsumatorin që ka një detyrim ndaj saj. Ish- kreu i njësisë së OSHEE-së në Shkodër thotë se pikërisht për këtë arsye ndodh edhe manipulimi.

Por ai nuk është i vetmi që nge dyshime ndaj sistemit të faturimit të OSHEE-së.

Tre raporte audituese të kompanisë, dy nga ekspertë kontabël të kontraktuar nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë dhe një tjetër nga kompania ndërkombëtare KPMG, ngrenë pikëpyetje mbi saktësinë e të dhënave të faturimit me atë të arkëtimit dhe humbjeve në kompaninë e shpërndarjes të energjisë elektrike.

Në raportin e vitit 2015 të auditit të kompanisë të kontraktuar nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë, audituesit shprehen se sistemi i arkëtimit dhe ai i faturimit të kompanisë nuk përputhen me njëri-tjetrin.

“Në pasqyrat financiare të shoqërisë ekziston një mospërputhje e llogarive të arkëtueshme, midis sistemit të faturimit dhe arkëtimit (billing-ut). Menaxhimi është në dijeni të këtyre mospërputhjeve pasi diferencat kanë rezultuar në periudhat e mëparshme por edhe gjatë vitit 2015.” thotë grupi i ekspertëve kontabël shqiptarë.

Një akuzë e ngjashme bëhet dhe nga kompania ndërkombëtare e auditit KPMG për të njëjtin vit.

“Në 2015 kompania raporton se ka faturuar 68.66% të totalit të sasisë së energjisë që ka injektuar në rrjetin e shpërndarjes. Humbjet e energjisë në rrjet në nivelin 31.34% tregojnë mospërputhje mes mekanizimit të matjes dhe energjisë së faturuar si të konsumuar,” shkruan raporti.

Të dy raportet e auditimit kanë refuzuar të japin opinion mbi pasqyrat financiare të OSHEE-së, duke mos i certifikuar ato e duke vënë në dyshim besueshmërinë e të dhënave.

Edhe për vitin 2016 ekspertët kontabël të cilët kanë bërë auditimin e pasqyrave financiare të OSHEE-së, shprehen se refuzojnë të japin një opinion, pasi nuk ka fakte konkrete që të dhënat në këto pasqyra të jenë të besueshme.

Një prej shkaqeve është mospërputhja mes sistemit të faturimit dhe atij të kontabilitetit. Madje ky grup ekspertësh ka evidentuar se janë 2.5 miliardë lekë, (19.5 milion euro) kërkesa për arkëtim nga ana e kompanisë së shpërndarjes për klientët, më shumë se është regjistruar te sistemi i faturimit.

“Shoqëria regjistron të dhënat analitike në sistemin e “faturimit dhe arkëtimit” mbi bazë të faturimeve dhe pagesave në nivel kontrate, ndërsa në sistemin e kontabilitetit të dhënat regjistrohen në mënyrë të përmbledhur manualisht,” shkruajnë audituesit.

“Shuma e kërkesave për arkëtim për klientët sipas sistemit të kontabilitetit në datën 31 dhjetor 2016 është 2.5 miliardë lekë më shumë se të dhënat sipas sistemit të “faturimit dhe arkëtimit,” thuhet në raportin e auditimit.

Një nga argumentet për refuzim për dhënie opinioni nga ana e audituesve është se një korrigjim mund të jetë i nevojshëm për këto shuma, me pasoja për bilancin total të OSHEE. “Ne nuk ishim në gjendje të përcaktonim nëse korrigjime do të ishin të nevojshme në kërkesat për arkëtim nga klientët, llogaritë përkatëse të fitimit ose humbjes dhe pasqyrën e flukseve monetare,” shkruan audituesit.

Kompania e ‘shpartalluar’
F.R. është lexues në një zonë në veri të Shqipërisë dhe thotë se ka probleme të shumta me bashkëfshatarët e tji, për shkak të faturave të fryra që drejtoria e Tiranës i çon në shtëpitë e tyre.

Ai dha një intervistë për BIRN në kushtet e anonimatit, por deklaroi se nëse kompania nuk do ta rregullonte këtë problem ishte gati të linte edhe vendin punës.

“Nëse i hyni me themel kësaj pune le të hiqem unë nga puna, por të paktën të zgjidhet kjo histori dhe të rregullohet zona. Para disa orësh isha te një biznes që ka marrë 320 mijë lek në bazë të asaj që i kam bërë [faturuar] unë, por i ka ardhur fatura 400 e ca mijë lekë.” tha faturisti duke folur me lekë të vjetra.

LEXO EDHE:  Problemi me kabinat, ja pse OSHEE nuk ndërhyn dot

Lexuesi tregon se është detyruar që të mbajë kudo me vete listën e leximeve që i bën matësave, madje edhe kur shkon në dasma.

“Këtu ka mbifaturime në masë. Unë në fakt e mbaj listën e faturave me vete, që t’iu shpjegoj njerëzve që kilovatët nuk i shtoj unë. Ky është problem masiv.” shtoi ai.

F.R. tregon se është një nga votuesit e Partisë Socialiste dhe priste një ndryshim më të madh pas ardhjes së saj në pushtet, sidomos me gjërat që lidhen me jetën e përditshme të qytetarëve, por ankohet se i gjithë manipulimi bëhet nga drejtuesit e lartë të kompanisë dhe beson se kryeministri nuk është në dijeni.

“I kam thënë dhe shefit të zonës dhe nuk ka bërë gjë. Kjo është pjesë e qeverisë që kam votuar unë. Kjo është kompania më e shpartalluar që mund të ekzistojë, këta japin shifra sikur dalin mirë dhe kryeministri i beson,” tregon faturisti socialist.

“Ne shkruajmë numrat dhe emrat dhe sa kanë konsumuar i shënojmë për vete në një listë që nesër pasnesër kur të vijnë te ne të mos e mbajmë ne përgjegjësinë,” thotë F.R.

Ai rrëfen se ndjehet i zhgënjyer dhe po ashtu ka keqardhje kur sheh njerëz që janë në luftë për të mbijetuar dhe që mbifaturohen.

“Këtu ka qëlluar edhe auditi që ka qenë duke më kontrolluar mua dhe ishin dy pleq që maksimumi harxhojnë 30 kilovat, janë të dy që lahen me tasa, harxhojnë a s’harxhojnë 7 mijë lekë të vjetra dhe kur vjen puna i ka ardhur 60 mijë lekë (të vjetra) fatura,” tregoi ai.

“Këtu është duke u bërë masakër. Auditi nuk ka zgjidhur gjë për ata të dy,” përfundoi faturisti i zhgënjyer.

Institucionet publike nuk paguajnë
Për vitin 2017-të ankesat e pranë zyrave të Kujdesit Ndaj Klientit për çështjen e faturimeve pranë OSHEE-së arrijnë në 62,626, nga të cilat kompania raporton se ka zgjidhur 48,141.

Zgjidhja e tyre jo domosdoshmërisht është në favor të klientit, por OSHEE raporton se kthimi i përgjigjeve brenda afatit ligjor është zbatuar masën 79%, dhe se krahasuar me vitin 2016 ato janë me ulje.

“Numri mesatar i ankesave në raport me numrin total të faturave është 0.45% e faturave totale,” thotë OSHEE.

BIRN iu drejtua me një kërkesë për të drejtë informimi OSHEE-së për ankesën e paraqitur nga Fatos Krasniqi. Në një përgjigje me shkrim në janar, OSHEE deklaroi se klientit i ishin prerë dritat për shkak se nuk ishte treguar korrekt me pagesat, çfarë kishte sjellë prishjen e aktmarrëveshjen së tij me kompaninë për detyrimet e prapambetura e njohur si AKM.

“Pasi u njoh me situatën, abonenti me kontratën emër mbiemër Fatos Krasniqi, ka rihyrë në AKM në të cilën janë përfshirë të gjitha detyrimet e prapambetura deri në 31.12.2016 si dhe fatura për muajin mars 2017, e cila përfaqëson një konsum të akumuluar të abonentit,” tha OSHEE.

“Në të njëjtën kohë abonenti ka likuiduar të gjitha faturat e tjera të vitit 2017,” shpjegoi OSHEE, duke shtuar se pas pagesave energjia elektrike është lidhur përsëri.

Në kontrast me zhurmën dhe njerëzit që janë nëpër sportelet e KNK-ve të kompanisë së shpërndarjes, zyra e trajtimit të ankesave të konsumatorëve në ERE-s është më e qetë.

Fluksi i ankesave nuk arrin më shumë se dy në ditë, ndërsa një pjesë i presin edhe me postë. Për vitin 2017 ERE ka dërguar 468 ankesa që kompania OSHEE duhet t’u japë zgjidhje; 168 prej tyre janë pranuar nga OSHEE, e cila ka anuluar faturat më pas, për 64 kompania e shpërndarjes është shprehur se nuk disponon dokumentacionin e duhur, e për 232 ka rrëzuar pretendimin e klientit.

Në qoftë se konsumatorët familjarë kanë normën më të lartë ankesave, institucionet publike kanë normën me të ulët të arkëtimeve në 3 vitet e fundit.

Për vitin 2018, sipas konsulentëve të angazhuar nga Këshilli i Mbikëqyrës i OSHEE, norma e arkëtimit për institucionet jo-buxhetore- kryesisht ujësjellës dhe ndriçim publik do të jetë 44%, nga 105% që është për abonentin familjar. Për buxhetorët arkëtimi pritet të jetë 86%, ndërsa për bizneset 94%.

Në total detyrimet që kanë institucionet publike ndaj kompanisë OSHEE arrijnë në 16 miliard lekë [120 milion euro]. Pavarësisht borxhit, ndryshe nga sa ndodhi me Fatos Krasniqin dhe familjen e tij, këta abonentë vazhdojnë të furnizohen rregullisht me energji elektrike.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook