Ballina Kronike Tentoi të arratiset në Greqi, arrestohet shoku i komandos që vrau truprojën...

Tentoi të arratiset në Greqi, arrestohet shoku i komandos që vrau truprojën e Martinajt (EMRI)

Arrestohet shoku i komandos që ekzekutoi me armë zjarri Fabjol Gaxhën mbrëmë në Bllok në Tiranë. “DuaLajm.com” raporton se ai është Geldo Shpëtim Hoti, ndërsa është arrestuar mbrëmjen e sotme rreth orës 20:00 në Kakavijë në tentativë për t’u arratisur në Greqi.

Burime policore pohuan për “DuaLajm.com” se Hoti tentoi që të kalonte në vendin fqinj. Ai është pyetur se cili është qëllimi i daljes, por nuk ka pranuar që të japë asnjë shpjegim, hezitimi ngriti dyshime, ndërsa pas kontrollit rezultoi se ishte në kërkim për vrasjen e djeshme në Bllok.

Ai ishte personi i katërt në kërkim, ndërsa në momentin e arrestimit nuk ka bërë asnjë rezistencë. Pas arrestimit ai pritet që të transportohet nga Gjirokastra në Tiranë.

Geldo Hoti mbrëmjen e djeshme ishte në tavolinë së bashku me truprojën e Elvana Gjatës, komandon Merviol Bilo, të dashurin e këngëtares Ervin Mata dhe me Fabjol Alushin.

Ata u konfiktuan me Fabjol Gaxhën, që ndodhej në tavolinën tjetër në lokalin ‘Monopol’ në shoqërinë e Ervis Martianjt dhe Eljon Hatos. Pas konfliktit, komandoja Merviol Bilo ekzekutoi me një plumb në kokë Fabjol Gaxhën.

Shkak i sherrit që përfundoi me një të vdekur dhe tre të plagosur ishte pikërisht Elvana Gjata. Vrasja mbrëmë në Bllok tronditi Tiranën, ndërsa tre persona janë në kërkim; Ervin Mata, Fabjol Alushi dhe autori i ekzekutimit, komandoja Merviol Bilo, bodygard i Elvana Gjatës. Policia ka arrestuar dy nga tre të plagosurit, Ervis Martinaj dhe Eljon Hato.