Ballina Aktualitet Misteri i zhdukjes së këngëtarit shqiptar prej 4 vitesh, flet nëna: Dyshoj...

Misteri i zhdukjes së këngëtarit shqiptar prej 4 vitesh, flet nëna: Dyshoj se e ka vrarë…

Kur kanë kaluar katër vite nga zhdukja e këngëtarit të tallavasë, Renato Hamza, fati i tij mbetet mister.

Nëna e tij Silvana nuk ka më asnjë shpresë se i biri është gjallë, ndaj ajo i bën apel shtetit të paktën t’i gjejnë trupin e tij.

Renato këndonte në lokale nate për të siguruar mbijetesën e familjes dhe dukej sikur gjërat po shkonin mirë për 21- vjeçarin, i cili sapo kishte regjistruar edhe videoklipin e tij të parë. Por, më 29 qershor të vitit 2014, pas një telefonate të bërë nga dikush, ai doli nga shtëpia dhe që atë ditë nuk u kthye më.

Nëna e tij e ka kërkuar vazhdimisht, duke bërë apel herë pas here për ndihmë edhe në media. Ka shkruar letra adresuar në Ministrinë e Brendshme, Prokurorinë e Përgjithshme, Policinë e Shtetit, por siç ajo shprehet, deri më tani kanë mbetur pa asnjë përgjigje.

I mirë apoi keq, e rëndësishme është që ajo të marrë një lajm nga djali i saj. E vetmja shpresë dhe dëshirë që e mban gjallë është vajza e Renit, e cila tashmë është thuajse 4 vjeç. Ajo lindi një muaj pas zhdukjes së të atit. Silvana shprehet e bindur se djalin e saj e ka rrëmbyer dhe ndoshta e ka vrarë ish-e dashura Redona D.

Znj. Silvana, kanë kaluar 4 vjet nga zhdukja e Renit. A keni mësuar diçka për fatin e tij gjatë kësaj kohe?
Asgjë, vetëm një telefonatë në muajin prill, ku një djalë i vogël më thoshte se ishte djali i Renit dhe se quhej Renaldo. Ajo telefonatë sërish më turbulloi që të shpresoj se Reni është gjallë, pasi nuk besoj se ka njerëz kaq të këqij që të tallen me fatkeqësinë e një nëne.

A keni vazhduar ta kërkoni nëpërmjet shtetit?
Po, vazhdoj të shkoj thuajse çdo javë në dyert e Policisë. Dikur shkoja çdo ditë, por tashmë shpresat i kam të pakta. Sa herë që shkoja, më përcillnin me fjalët mos u mërzit se ne po punojmë për gjetjen e tij. Rreth tre vjet më parë, pas gjetjes së trupit të një të riu të dekompozuar në Babje të Librazhdit, u drejtova menjëherë në Polici, pasi dyshoja se ai mund të ishte trupi i Renit. Por Policia më tha që nuk është trupi i tij, pasi Reni kishte një dhëmballë të hequr, ndërsa trupi i dekompozuar kishte një dhëmb të vënë porcelan. Dyshoj se diçka po më fshihet.

Përse e keni këtë dyshim?
Dyshoj, se pasi u gjet ky trup i pajetë, mua më erdhi një efektiv i Policisë në shtëpi dhe më bëri analizën e ADN-së, por që përgjigje për këtë analizë asnjëherë nuk mora. Edhe një vit më parë më erdhën nga Tirana me kërkesën që kisha bërë te Krimet e Rënda. Më bënë sërish analizën, por asnjëherë në të dyja rastet nuk kam marrë përgjigje. Dyshoj se mund të jetë ajo kufoma që u gjet në Babje, por kur nuk marr një përgjigje, mendoj se diçka po më fshihet.

Po drejtuesit e Policisë lokale i ke takuar, u ke kërkuar ndihmë?
Po, një vit më parë shkova në një takim me zyrtarë të Policisë asokohe dhe më thanë dyshimin se Renin e ka vrarë Indrit Shaqja (i cili akuzohet për vrasjen e dy kunatave të moshuara në Durrës). Djali e ka njohur Indritin, kur këndonte në një lokal nate në Durrës.

Si reaguat pas këtij lajmi?
Më vjen keq që tallen me një nënë. Një herë më thonë nuk kemi informacion, një herë më thonë e kanë vrarë. Po si të bëjë kjo zemra e nënës, a ka shtet apo nuk ka? Ku ta gjej përgjigjen nëse e kam gjallë apo të vdekur djalin tim? I lutem Kryeministrit, ministrit të Brendshëm, të gjithë popullit shqiptar që nëse kanë një informacion për djalin tim, të ma japin. I kam rritur jetimë, bashkëshorti më ka vdekur dhe i ka lënë motakë dy djemtë e mi, i kam rritur e vetme. Kam rritur fëmijë të edukuar dhe me plot dashuri, por kam bindjen se Reni nuk është më. Po ku është? Ku ta gjej trupin e tij të pajetë? Ku ma kanë hedhur djalin? Pse nuk më kthen Policia një përgjigje? Pse më thanë ta kanë vrarë djalin dhe nëse e ka vrarë Indriti, pse nuk e marrin në pyetje të tregojë se ku është trupi i djalit? Pse?

Vajza e Renit ka lindur një muaj pas zhdukjes, e kërkon ajo sot të atin?
Vajza është rritur, është bërë 4 vjeçe. Jusina vjen thuajse çdo ditë bashkë me nusen. Edhe nusja si unë kërkon një përgjigje nga Reni, edhe nëse ka vdekur, të paktën të kemi trupin e tij ku të shkojmë të qajmë dhe të themi dy fjalë. Vajza po rritet, ajo e kërkon babain e saj në çdo moment dhe ne nuk dimë se çfarë përgjigje t’i japim. Unë mendoj se Renin ma kanë vrarë. Sepse po të ishte gjallë, nuk do të rrinte pa më telefonuar apo pa ardhur në shtëpi. Ju lutem të gjithë qeveritarëve, Policisë, Krimeve të Rënda të hetojnë, pasi deri tani, dosja për zhdukjen e djalit tim është pa autor.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook