Ballina Aktualitet “Poshtë hajdutët, duam lekët tona”, naftëtarët e Fierit marshojnë në këmbë drejt...

“Poshtë hajdutët, duam lekët tona”, naftëtarët e Fierit marshojnë në këmbë drejt Tiranës

Rreth 200 punonjës të Uzinës së Përpunimit të Thellë të Naftës Ballsh dhe Rafinerisë së Naftës Fier janë nisur në këmbë drejt Tiranës.

Naftëtarët e Fierit janë nisur drejt kryeqytetit rreth orës 10:15 për të protestuar para Kryeministrisë për pagën e nëntorit të prapambetur por dhe për mos derdhjen e kontributeve në sigurimet shoqërore.

“Poshtë hajdutët! Duam bukë, duam lekët tona!”, janë disa nga thirrjet e naftëtarëve, të cilët rreth orës 13:00 kanë kaluar rreth rrotullimin e Kolonjës për të vijuar në drejtim të Lushnjës.

Kryetari i sindikatës së naftëtarëve, Kamber Iliazi u shpreh se nuk ka kthim pas deri në realizimin e kërkesave të punonjësve.

“Jemi drejtuar drejt kryeqytetit pa kthim, kthimi jonë është kurorëzimi i kësaj lëvizje duke u hedhur paga e muajit nëntor dhe të gjithë detyrimet që burojnë nga kontrata kolektive dhe kodi i punës.Nuk ka asnjë lloj tolerimi”, deklaroi Iliazi.

Ndërsa protestuesit kërcënojnë se nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre do të flijohen.

Historia e naftëtarëve të papaguar në Ballsh është disa vjeçare. Ndryshimi i shpeshtë i menaxhimit të uzinës nuk e zgjidhin çështjen e pagesave të prapambetura.

Lidhur me protetestën e naftëtarëve ka reaguar dhe Policia e Fierit përmes një njoftimi ku thuhet:

“Rreth orës 10:15, rreth 200 punonjës të Uzinës së Përpunimit të Thellë të Naftës Ballsh dhe Rafinerisë së Naftës Fier, vazhdojnë protestën duke lëvizur në këmbë në rrugën nacionale Fier-Tiranë dhe kanë krijuar trafik duke penguar lëvizjen e automjeteve. Aktualisht dolën nga qyteti i Fierit dhe janë në lëvizje afër vendit të quajtur “Mulliri i artë”. Janë marrë masat e sigurisë nga shërbimet e policisë së rendit dhe trafikut rrugor”.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook