Ballina Aktualitet Rindërtohet skena e sulmit në shtëpinë e prindërve të Klodiana Lalës, si...

Rindërtohet skena e sulmit në shtëpinë e prindërve të Klodiana Lalës, si ndodhi

Rindërtohet ngjarja e ndodhur në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjteje, në zonën e Laknasit në periferi të Tiranës, ku drejt banesës së prindërve të gazetares së kronikës Klodiana Lala, qëllua me breshëri automatiku.

Ishte ora 03.30 e mëngjesit teksa prindërit e gazetares, vëllai, motra dhe dy vajzat e saj të mitura ishin në gjumë, ashtu sikundër edhe dy të afërm të familjes.

Ata u zgjuan nga gjumi nga breshëritë e të shtënave, të qëlluara në pjesën e përparme të shtëpisë.

Të shokuar familjarët kanë dalë në ballkon për të parë ç’kishte ndodhur, por kanë parë vetëm shenjat e plumbave në xhama, dyer dhe mure, pa pikasur autorët.

Por diçka duket se ka qenë e menduar në detaje, pasi në lagje mbahej një dasmë dhe fillimisht u mendua se krismat ishin fishekzjarre.

Gjatë marrjes në pyetje familjarët e gazetares kanë deklaruar se nuk kanë parë asnjë mjet të largohet, çka hedh dyshimet se autorët të jenë larguar me këmbë.

Vetë Lala ka thënë se as ajo dhe as familja e saj nuk kanë konflikt me askënd, duke hedhur dyshime se gjithçka ka ndodhur për shkak të detyrës së saj.

Sakaq vetë ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka kontaktuar me gazetaren, duke i garantuar mbrojtjen asaj por edhe familjes, si dhe e ka siguruar për zbardhjen e ngjarjes.

Dyshohet se gjithçka ka qenë një paralajmërim i fortë për gazetaren e kronikës, që në rast se përmendte më tej emra të personave të inkriminuar, mund ta pësonte tek familjarët e saj.

Ngjarja ndodhi rreth orës 03.00 të mëngjesit të kësaj të enjteje, në lagjen “Bruk”, në rrugën “Shkëndija”, Tiranë.

Në momentin e ngjarjes në banesë, ishin vëllai i Lalës, prindërit e saj, por edhe dy vajzat e vogla të gazetares, motra e Klodianës dhe vjehrri dhe vjehrra e kësaj të fundit, të cilët kishin ardhur nga Italia.

LEXO EDHE:  Dëshironi të ëmbëlsoni ullinjtë në shtëpi, ja sekretet që duhet të dini

Gazetarja shkon çdo ditë në banesën e të atit, për shkak se prindërit kujdesen për dy vajzat e saj gjatë kohës që ajo është në punë, dhe pjesën më të madhe të kohës e kalon atje, duke qenë shtëpia e dytë e saj.

Kujtojmë se Lala është e përfshirë në sektorin e kronikës prej thuajse 15 vitesh, ku në raportime të ndryshme nuk ka kursyer raportimet për akuza të forta ndaj grupeve kriminale.