Ballina Aktualitet Shfrytëzonin vajza të reja mes tyre dhe një minorene për prostitucion, si...

Shfrytëzonin vajza të reja mes tyre dhe një minorene për prostitucion, si u kapën 21 shqiptarët në Itali

Të tjera detaje janë zbuluar nga mediat italiane pas kapjes së 21 shqiptarëve si pjesë e një grupi kriminal që akuzohen për “Shfrytëzim prostitucioni”. Aksioni për arrestimin e kësaj bande u realizua nga policia e Milanos, ndërsa kontrolle u ushtruan në të gjithë Lombardinë.

Mësohet se grupi është zbuluar pas vrasjes me një plumb në zemër të shqiptarit Ilir Berisha më 15 shtatorin e vitit 2017 e arrestimin në kufirin italian me Francën të autorit të këtij krimi, shqiptarit Emiliano Biqmeti 34 vjeç.

Hetimet e mëtejshme zbuluan se vrasja ka lidhje me shfrytëzimin e vajzave për prostitucion. 25 vajzat që shfrytëzoheshin për prostitucion nga grupi i shkatërruar nga policia rrëmbeheshin në vendet e tyre të origjinës si në Shqipëri, Moldavi, Rumani, Hungari. Janë të moshës 20-25 vjeçe por mes tyre ka dhe një vajzë minorene. Sipas hetuesve italianë, cdo anëtar i tij zotëronte një zonë të caktuar dhe një vajzë duke nxjerrë fitime që shkonin nga 6-12 mijë euro në muaj.

Ky grup kriminal fitonte duke dhënë me qera dhe vendet e punës në rrugë të vajzave që punonin si prostituta. Fitimi për secilin prej anëtarëve të bandës mund të arrinte dhe në 900 euro në natë. Gjatë hetimeve të operacionit të shkatërrimit të këtij grupi u sekuestruan dhe 38 kg marijuanë fshehur në një kamion në Brianza, një pistoletë e 25 mijë euro.