Ballina Aktualitet Shtohet betoni në Tiranë, një tjetër kullë shumëkatëshe do të ndërtohet në...

Shtohet betoni në Tiranë, një tjetër kullë shumëkatëshe do të ndërtohet në qendër

Një tjetër ndërtesë shumëkatëshe i shtohet qendrës së Tiranës. Vitin e ardhshëm do të nisë ndërtimi për një objekt 26 katësh në një nga anët e sheshit Skënderbej, që është kthyer në zonë pedonale.

Kulla e lartë do të ndërtohet në sheshin mes Rrugës së Durrësit dhe Rrugës së Kavajës, ku nodhet Dhoma e Tregtisë së Tiranës.

Në të njëjtin vend u hap disa vite më parë një gropë, por ajo u kthye më pas në lulishte me vendim të qeverisë Berisha.

Kulla do të quhet “Eyes of Tirana”. Do të ndërtohet nga kompania Edil-Al. Sipërfaqja e ndërtimit me të gjitha katet do të jetë 55.444 m2. Ajo është projektuar nga studio daneze Henning Larsen.

Me planin e ri urbanistik Tiranës pritet t’i shtohen 15 kulla. Por vetë ndërtuesit kanë shprehur shqetësimin se këto ndërtesa të larta do të përfundojnë njësoj si firmat piramidale, pasi Tiranës nuk i nevojiten, në raport me popullsinë që ka.

Nga bulevardi i Ri deri në zonën e liqenit artificial, përfshirë qendrën e Tiranës apo rrugën e Elbasanit, kullat do të jenë deri në 40 kate të larta.

Kulla më e lartë pritet të jetë “Kulla ikonike e Tiranës”, që do të kushtojë 250 milionë dollar dhe do të ndërtohet nga investitori nga Dubai, “Al Habtoor investment LLC”.