Ballina Aktualitet Skandali/ Një person vdes në aksident, eksperti nxjerr fajtor “Zotin”

Skandali/ Një person vdes në aksident, eksperti nxjerr fajtor “Zotin”

Një denoncim i ardhur në redaksinë e emisionit Boom ka nxjerrë në pah një ngjarje sa tragjike, aq edhe absurde dhe abuzuese me drejtësinë.

Vetëm pesë muaj më parë në aksin Levan-Tepelenë, në vendin e quajtur kryqëzimi i Cakranit ka ndodhur një aksident me pasojë vdekjen e 46 vjeçarit Ajet Yzeiraj, i cili udhëtonte në bashku me një shokun e vet në makinën mercedez benz me targa AA564LS.

Ata janë përplasur nga mjeti Land Rover me targë AA007RB që drejtohej nga shtetasi Arben Avduli. I plagosur nga ky aksident ka mbetur edhe shtetasi Alket Mehmetaj që ndodhej në makinën e Avdulit.

Vëllai I viktimës, Dashnor Yzeiraj ngre shqetësimin se provat po manipulohen. Sipas tij i vëllai po ecte me shpejtësi tepër të ulët 28km ne orë, ndërsa makina  qe e përplasi  me 150 km në orë.

Këtë pretendim, e dëshmon në fakt edhe personi që ishte atë ditë në makinën e aksidentuar. “Ne po vinim nga Fieri dhe pamë që një makinë e bardhë po ecte në drejtim të çrregullt dhe po vinte drejt nesh.

Ajeti ishte me shpejtësi shumë të ulët dhe tha: ‘Mos se na vrau’ dhe sa mbaroi fjalën, shoferi I Range doli nga korsia e tij dhe na goditi përballë. Ajeti ngeli i vdekur në vend.

Pasi makina na goditi dhe na hodhi në kanal, vazhdoi të ecte edhe 80 metra derisa goditi derën e një subjekti privat.

Në  sipërfaqen e rrugës nuk kishte shumë ujra dhe makina që na goditi për mendimin tim e kishte shpejtësinë rreth 150 km në orë. Këtë e kam dëshmuar dhe në prokurori”, thotë ai.

Por ç’ndodhi? Si u lirua brenda 24 orëve personi që shkaktoi aksidentin? Ka dy ekspertiza. Një nga oficeri i policisë gjyqësore që thotë se në vendngjarje ka pasur “rreshje të imta shiu” dhe raporti tjetër, nga eksperti I Prokurorisë së Përgjithshme  Edmond Kazazi që shkruan se “Rënia e shirave ishte me intensitet të lartë”.

Por pavarësisht përpjekjes për t’ia lënë shkakun e aksidentit faktorëve të jashtëm, gazetarja e Boom në vengjarje ka vërejtur se rruga nuk mban lagështi, pasi është e formës kurriz peshku si dhe anash rrugës ka kanale kulluese.

Po ashtu, nëse marrim të mirëqenë se shpejtësia e automjetit Land Rover ishte 72 km orë sipas ekspertizës, ka pasur të gjithë mundësitë të manovronte dhe frenonte, aq më tepër një shpejtësi e tillë nuk mund të katandisë një benz gati 2 tonësh gati tërësisht të shkatërruar.

Vëllai i viktimës kërkon veç drejtësi, sepse me atë raport auto-teknik që fajëson “Zotin”, është e vështirë të përfitohet siguracioni i jetës. Familja kërkon nga prokuroria që të pranojë kërkesën e familjarëve për ri inspektim dhe nga trupi gjykues të shohë faktet siç janë.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook