Ballina Aktualitet U plagos në atentatin e djeshëm në Durrës, ndërron jetë në spital...

U plagos në atentatin e djeshëm në Durrës, ndërron jetë në spital shoku i Harizajt

Ka ndërruar jetë në spital pas plagëve të marra 33-vjeçari Genci Caci nga Vlora, i cili mbeti i plagosur në atentatin e mbrëmshëm në Durrës, ku u vra dhe shoku i tij Edison Harizaj.

Burime nga policia bëjnë me dije se Caci ka ndërruar jetë në spitalin e Traumës, ku ndodhej prej mbrëmjes së kaluar.

Ngjarja që tronditi mbrëmjen e kaluar Durrësin ndodhi në zonën e plazhit, në vendin e njohur si ‘Rruga e Çamëve’ dhe nga të shtënat mbeti i vrarë në vend Edison Harizaj, ndërsa 33-vjeçari Caci u plagos rëndë, në kokë dhe trup, plagë të cilave nuk ka mundur t’u mbijetojë.

Automjeti tip ‘Audi’ në të cilën udhëtonin Edison Harizaj dhe Genci Caci u qëllua me breshëri kallashnikovi. 39-vjeçari Edison Harizaj ka qenë i skeduar si i përfshirë në disa ngjarje kriminale në vend.

Ai ka qenë krahu i djathtë i Emiljano Shullazit dhe ka qenë i dënuar me 10 vite burg për vrasje. Dënim që e kishte përfunduar në vitin 2010. Ai dyshohet se ka kryer një sërë krimesh, përfshi dhe ekzekutimin e gjyqtarit Skerdilajd Konomi.