Ballina Aktualitet Vrasja e çiftit në Shkodër/ Gjendet një makinë e djegur në dalje...

Vrasja e çiftit në Shkodër/ Gjendet një makinë e djegur në dalje të qytetit, dyshohet si e ekzekutorit (Foto)

Një makinë e djegur është gjetur në by-passin Shkodrës, pak orë pas krimit të dyfishtë të ndodhur në lagjen “Naim Gjylbegu”, ku një ish-efektiv policie dhe bashkëjetuesja e tij, u gjetën të ekzekutuar brenda në makinë.

Dyshohet se mjeti i djegur është tip “Benz” dhe dyshohet se është përdorur nga autorët për t’u larguar pas krimit, të cilët më tej i kanë vënë flakën për të humbur gjurmët.

Në mjetin e djegur i cili dyshohet se është përdorur nga ekzekutorët, është gjetur një armë automatik dhe dyshohet të jetë dhe arma që është përdorur për vrasjen e dyfishtë.

Aktualisht policia po kryen veprimet e rastit për të zbuluar lidhjen mes mjetit të djegur dhe krimit të dyfishtë.

Dyshohet se shënjestra ka qenë 30-vjeçari Boran Berçama, i cili po kthehej në banesë bashkë me bashkëjetuesen Silvi Ndoci rreth 27 vjeçe dhe fëmijën e tyre, kur dyshohet se janë ndjekur dhe janë ekzekutuar brenda makinës.

Mësohet se 30-vjeçari Boran Berçama, i cili ka qenë efektiv i policisë dhe ka mbajtur detyrën e shefit të Krimeve në Pukë, kishte lënë radhët e Policisë së Shtetit, pak muaj më parë duke dhënë dorëheqjen.

Deri para pak kohësh ai kishte qenë emigrant në Francë ku kishte kërkuar azil, por për shkak se i ishte refuzuar, ishte kthyer sërish.

Krimi i rëndë u zbulua në orën 06:40 të mëngjesit të sotëm, ku në automjetin me targa AA006HA, janë gjetur të vrarë me armë zjarri, Boran Berçama dhe bashkëjetuesja e tij.

Në prehrin e gruas mësohet se ka qenë edhe fëmija i çiftit, i cili fatmirësisht ka shpëtuar pa lëndimeve.

Nga ana e policisë hetimet janë në vijim, për të zbuluar më shumë mbi rrethanat e ngjarjes.

LEXO EDHE:  Para protestës së opozitës, Presidenti Meta ka një mesazh për 27 Janarin
Picture 1 of 10

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook