Nga foltorja e Kuvendit Monika Kryemadhi ka prekur të gjitha çështjet aktuale në vend, nga protesta e studentëve, projektin e ndërtimit të Unazës së Re e deri tek çështja e ndallimit të PPP-së në aksin Kashar-Thumanë.

Në lidhje me protestën e studentëve Kryemadhi ka deklaruar se kërkesat e tyre janë të thjeshta, duke i bërë thirrje qeverisë t’i plotësojë ato.

Ndërkohë Kryemadhi ka deklaruar gjithashtu se projekti i Unazës së Re është një aferë korruptive dhe duhet patjetër të anullohet, që sipas saj të shpëtojnë dhe banorët që kanë më shumë se dy muaj në protestë.

“Problemi më i madh nuk qëndron tek ne që jemi këtu, por tek njerëzit që janë jashtë. Sot hapim në mënyrë zyrtare Parlamentin, por në memorien e shqiptarëve ka mbetur seanca e kaluar ku opozitës iu hoq e drejta për të folur nga frika e asaj që do të thoshte opozita. Sot do të kisha shumë dëshirë që të flisja për axhendën e parlamentit, për atë axhendë, që edhe ata që vijnë nga mazhoranca nuk e kuptojnë. Që të hapen negociatat duhet dialog politik nuk ka si të ketë dialog zoti kryetar kur ju s’ja jepni opozitës këtë të drejtë. Duhet që kryeprokuroja të zgjidhet me 84 vota, ju mbani peng ende reformën zgjedhore, mbahen peng negociatat se nuk do kryeministri i Rilindjes, se ashtu i leverdis atij.

Shqiptarët presin 300 mijë vendet e punës që ju premtuan dhe sot s’kanë asgjë. Shqiptarët presin uljen e energjisë, por sot çmimi është rritur. Shqiptarët presin legalizimin e shtëpive, por po ju prishen. Shqiptarët presin që fëmijët tu shkollohen, por ju mbyllen dyert e Universiteteve. Sot kemi një qeveri inekzistente që nuk përfaqëson asgjë. Në fakt do të doja të falënderoja studentët dhe pedagogët që thyen frikën e protestës. Thojini Eda Luccit të mos kërcënojë studentët te ekonomiku e shumë të tjerë që i dalin për zot këtij dhunimi të studentëve. Mbas studentëve nuk janë partitë politike. Një sugjerim mikes time Belinda, mos dëgjo ca thotë ky se do ta pësosh si Gjiknuri, Ahmetaj që shumë shpejt do të dalin para drejtësisë. Mos di të gënjesh që paratë e Kashar – Thumanë do ti kalojnë studentëve, se nuk është e vërtetë. Beni të mori firmën dhe të shiti, sicc shiti ministrin e Brendshëm se pse ‘arrestoi’ Dakon duke i futur në burg Avdylajt. Ne do të na keni në rrugë. Histori do ju rëndojë mbi shpatullat tuaja, do ju rëndojë aq shumë sa do e ndieni në 7 breza. Më vjen keq, vitet më të bukura të jetës time i kam kaluar në PS, por sot jam e bindur se fytyra e asaj partie nuk jeni ju, por ata qindra e mijëra socialistë që sot ju urrejnë. Urrejtja e socialistëve do ju tërheqë zvarrë”, deklaroi Monika Kryemadhi në sallën e Kuvendit.