Tashmë nuk ka më dilema, PD dhe LSI do të dalin bashkë në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm.

Kjo u pohua nga kryetarja e LSI Monika Kryemadhi e cila theksoi se nuk ka më dyshime se opozita do jetë e bashkuar për garën elektorale të vitit të ardhshëm.

Po ashtu, ajo theksoi se po punohet për gjetjen e një kandidati të përbashkët dhe që të garantojë fitore në Tiranë.

“Në fakt, nuk është e fshehtë që opozita e bashkuar do të dalë së bashku në zgjedhjet e ardhshme. As që po punon për të gjetur kandidatin fitues për bashkinë e Tiranës, por ajo që është më e rëndësishme është platforma jonë e përbashkët për t`iu dhënë zgjidhje uljes së taksave, të cilët janë çdo ditë e më shumë, ku po i marrin frymën shqiptarëve”, tha Kryemadhi.

Ajo u ndal gjerësisht edhe te klima e fushatës që është vetëm pak muaj larg. Kryemadhi tha se nuk do të lejohet të kërcënohen të rinjtë që mbështesin forcën që ajo drejton.

Drejtuesja e LSI tha se do ketë përballje të ashpër me drejtorët e shkollave që kërcënojnë të rinjtë e LRI.

“Çdo kërcënim që do vijë nga drejtorët apo drejtoreshat e shkollave ndaj të rinjve tanë dhe çdolloj përdorimi i forcës, notës apo presionit të vazhdimit të studimeve më tej ndaj tyre, të cilët ne i kemi dëgjuar rëndomë në zgjedhjet e kaluara, ku në shkëmbim të votës ofrohej e drejta e studimit dhe çdo përdorim i forcës së notës apo misionit të vazhdimit të studimeve më tej ndaj tyre, të cilët ne i kemi dëgjuar rëndom në zgjedhjet e kaluara, ku në shkëmbim të votës ofrohej e drejta e studimit. Të jenë të bindur të gjithë ata drejtorë që nuk do të ketë më as sjellje të kulturuar, as tolerancë miqësore, politike apo njerëzore, por do të kenë përballje të pamëshirshme ndaj këtyre kriminelëve të cilët bëjnë pazar me të ardhmen e të rinjve tanë”, tha kryetarja e LSI-së.