Ka përfunduar mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike e cila vendosi unanimisht për djegien e mandateve të deputetëve.

Kreu i PD-së Lulzim Basha ka komentuar deklaratën e bërë pak minuta më parë nga ambasada e SHBA-së, që i bënte thirrje deputetëve të mos i digjnin mandatet pasi minohej demokracia.

“Nuk komentoj kurrë asnjë deklaratë të përfaqësive të huaja në Tiranë por dua tua them qartë dhe shkoqur se për mua dhe PD nuk ka frymëzim më të madh se SHBA dhe demokracia amerikane. Në veçanti veçoj Presidentin Lincoln dhe dua ta citoj: Shpresoj që kjo sakrificë nuk do shkojë kot, se ky komb nën zot do ketë lindje të re të lirisë dhe demokracisë. Qeverisja e njerëzve nga njerëzit për njerëzit nuk do të zhduket nga faqja e dheut. Nuk do të zhduket as nga faqja e Shqipërisë, Zoti e bekoftë Shqipërinë! Zoti e bekoftë Amerikën”,- tha Basha.

Djegia e mandateve sqaroi Basha ndër të tjera, ishte rekursi i fundit që i ka mbetur opozitës për të shembur një qeveri të krimit.

“Djegia e mandateve nuk është qëllim në vetvete, por rekursi i fundit që i është lënë opozitës për të arritur një qëllim madhor, që të shembim një qeveri të krimit dhe t’i japim shqiptarëve një qeveri për njerëzit. Nuk po kërkojmë të marrim mandate me ndihmën e krimit të organizuar ne po japim” – u shpreh Basha.