Ballina Kronike Aventura e dy kushërinjve shqiptarëve në autostradë merr jetën e pafajshme të...

Aventura e dy kushërinjve shqiptarëve në autostradë merr jetën e pafajshme të një italiani

Ka përfunduar tragjikisht gara ilegale me makina mes dy të rinjve me origjinë kosovare për një pjesëmarrës tjetër, të pafajshëm në trafik.

Njëri nga shqiptarët ka humbur kontrollin mbi makinën gjatë një manovrimi rrezikues dhe ka dalë në korsinë tjetër duke u përplasur me makinën që po vinte në mënyrë të rregullt nga ana tjetër, transmeton albinfo.ch.

Mësohet se dëshimtarë të shumtë kishin vënë re dy vetura që vazhdimisht parakalonin njëra-tjetrën. Në timon të një “Audi A3” dhe një “Alfa 147” ishin dy të rinj me origjinë nga Kosova, kushërinj mes tyre. Makina e 26-vjeçarit E.B. në një kthesë të rrugës “Via del Mare” afër lokalitetit San Dona di Piave ka tejkaluar atë të kushëririt të tij K.K.

Ky i fundit, 21-vjeçar, për të fundit herë ka provuar ta parakaluar të parin dhe ka humbur kontrollin, duke shkaktuar aksidentin e rëndë.
Personi që po vinte nga ana e kundërt një punëtor italian 53-vjeçar e ka paguar me jetë lojën e dy të rinjve.

Disa dëshmitarë të cilët ishin ndalur për të dhënë ndihmën e parë, kanë vënë re se shkaktari i aksidentit (K.K) përkundër lëndimeve ka dalë nga makina dhe, pa e parë fare personin që po vdiste, ka tentuar të ikë nga vendi i ngjarjes. Ndihma e parë ka ardhur shumë vonë për italianin i cili ndërkohë kishte vdekur nga plagët e rënda.

Karabinierët më pas i janë vënë në ndjekje shkaktarit të aksidentit dhe e kanë arrestuar atë së bashku me kushëririn e tij 26-vjeçar. Ky i dyti ka deklaruar para karabinierëve se e ka transportuar 21-vjeçarin në një spital në Trieste, ku pastaj është arrestuar.

I riu mësohet se nuk kishte as patentë. Ndërsa si bashkëpunëtor akuzohet edhe kushëriri i tij E. B. Të dy janë dërguar në burg, në Venecia dhe i pret një proces gjyqësor që mund t`u shkojë me dënime me heqje lirie disavjeçare.