Ballina Kryesore Befason analisti i njohur: Këta janë dy deputetët e Parlamentit shqiptar që...

Befason analisti i njohur: Këta janë dy deputetët e Parlamentit shqiptar që më vunë pistoletën tek koka (Emrat)

Ilir Demalia i cilëson si retorika pa vlerë, pretendimet e disa politikanëve për veting të klasës politike.

Në një intervistë, analisti i njohur tregon se krimi sot është i ulur në Parlament, duke sjellë rastet e kërcënimeve me jetë që ka marrë disa vite më parë nga deputetët aktualë, Tom Doshi dhe Fidel Ylli.

Demalia ka shpjeguar se si është kërcënuar në vitin 1995 me pistoletë në kokë nga dy deputetët aktualë në Parlament për disa rreshta që kishte shkruar në një libër të tijin për ish-themeluesin e PD-së, Gramoz Pashko.

“Fideli më goditi me grusht. Unë iu ktheva duke marrë karrigen për t’i gjuajtur. Në këtë kohë futet Tom Doshi, badigardi i badigardit. Toma me godet nga mbrapa dhe pastaj më vendos pistoletën në kokë jashtë lokalit me gjithë Fidelin. Të dy rrinin të armatosur”, thotë ai.

Ja çfarë tregon Demalia:

Ishte korriku i vitit 1995 dhe unë kisha shkuar në Tiranë, nga New York-u për botimin e librit “Drejt Perëndimit”, një libërth shënimesh si fletore për ngjarjet e janar-korrikut 1990, që më pas u botua i plotë si refleksione, dëshmi, ngjarje në 2015-n me titullin “Guri fundit i dominosë” i ribotuar në 2017.

Në faqen 11 të librit, unë shkruaja: “Në këtë kohë Gramozi (Pashko) ishte nga ata “kurajozë” që kishte dhënë intervista te “Zëri Amerikës” në një kohë që dëgjimi i këtij stacioni ishte ilegal. Të ketë pasur visto nga lart?!…”

Fidel Ylli kishte qenë badigard i Gramozit, kur ky ishte zv/ kryeministër në qeverinë e stabilitetit dhe më pas ishte badigard i Kryeministrit Aleksandër Meksi deri në vitin 1993 kur Meksi e largoi…

Fideli kishte hapur një kafe në këtë kohë që quhej “Bar West” në qoshe të “Parkut Rinia” ne krah të Ministrisë së Mbrojtjes.

Unë po shkoja në kafen “Bar West” për t’u takuar me dy miqtë e mi Sokol Ngjelën (Lincin) dhe Teodor Kekon (Dorin e vogël). Në kafe ishte Hektor Pustina dhe të tjerë gazetarë që mblidheshin aty.

Kur unë isha në tavolinë me Pustinën dhe po prisja miqtë e mi, vjen Fidel Ylli, më shikon mua dhe më drejtohet: U bëre ti, more shkërdhatë, të shkruash për Gramozin, dil përjashta nga këtu!

Unë iu ktheva: Po kush je ti more ndyrësirë, të më tregosh mua se çfarë duhet të shkruaj, ti sampisti i 326-ës.

Fideli deri në vitin 1991 ka qenë pjesëtar i Trupave Speciale të repartit 326 të Ministrisë së Brendshme. Më pas, si shumë të tjerë pjesëtarë të këtyre trupave u bë badigard i zyrtarëve të lartë dhe nëpërmjet trafiqeve të vizave amerikane dhe europiane në atë kohë, këta reparte speciale të krimit në diktaturë u bënë biznesmenë dhe tash i kemi në Parlament si ligjvënës për të mbrojtur krimin e tyre dje dhe sot. Ja pra, që bla-bla-bla për veting është loja! Ja ku është krimi! E keni ulur në Parlament.

LEXO EDHE:  Kushte skandaloze në Jalë/ AKU mbyll tre restorante në Jalë, shihni si përgatitej ushqimi (Foto)

Si e keni trajtuar atëherë këtë rast? A e denoncuat në Polici? A jeni ndeshur më me Tom Doshin dhe Fidel Yllin personalisht?

Për t’u kthyer te ngjarja, Fideli më goditi me grusht. Unë iu ktheva duke marrë karrigen për t’i gjuajtur. Në këtë kohë futet Tom Doshi, badigardi i badigardit. Toma me godet nga mbrapa dhe pastaj më vendos pistoletën në kokë jashtë lokalit me gjithë Fidelin. Të dy rrinin të armatosur.

Vijnë furgonat e Rajonit Nr.3, ku shef ishte Gjergj Jorgo dhe më marrin mua. Unë i kthehem Gjergj Jorgos, “kap ata të dy që i ke të armatosur, jo mua”. Me morën, më futën në furgon dhe më liruan pas një ore. Ngjarja kishte shkuar te Presidenti i asaj kohe, Sali Berisha dhe mua më thërret Agim Shehu me Gjergj Lezhjan për ngjarjen. Por siç kuptova, Fideli ishte një nyje që lidhte shumë fije dhe mbrohej nga të dy krahët e politikës. Unë, pas disa ditësh, u ktheva në vendbanimin tim në New York.

Jam takuar me Fidelin më vonë në 2005-n te dy kullat në lokalin e Fidelit dhe kemi pirë një kafe. Ishte koha sa kishte ardhur në pushtet Berisha dhe i kishte prishur lokalin në oborrin e Akademisë se Arteve dhe diskon poshtë në Akademi.

Me Tom Doshin jam parë vetëm njëherë në Aeroportin e Zyrihut të Zvicrës, ai ishte me Arta Daden, nuk di nga vinin dhe unë po vija në Tiranë nga New York. Nuk i fola Tom Doshit. Bisedova me Arta Daden, biseda të përgjithshme në avion pasi koicidoi që ndenjëset i kishim pranë.

Pse kanë sukses këta lloj politikanësh që nuk vijnë nga elita intelektuale e shoqërisë, por rezulton se ata votohen, për çfarë arsye?

Le ta fillojmë nga elitat për të kuptuar pse lulëzon dhe sundon krimi në shoqërinë tonë! Ne nuk kemi krijuar dhe jo vetëm nuk kemi krijuar, por edhe kemi groposur dhe vazhdojmë t’i mbulojmë me baltën dhe degradimin ato modele morali, kurajeje intelektuale si ata para ‘45-s dhe ata zëra apo modele deri ne vetëmohim me ndërgjegje për bindjet dhe moralin si modele të një shoqërie të lirë dhe moderne. Sot, ato pak zëra që kanë ngelur gjallë si kualitete intelektuale apo kuraje qytetare i luftojmë me heshtjen apo denigrimin në llumin e madh të vulgut militantist apo shërbëtorëve të krimit për denigrimin e tyre me të gjitha format dhe mënyrat.

LEXO EDHE:  EKSKLUZIVE/ Arta Marku me "dorë të hekurt", largon nga Prokuroria një tjetër besnike të Llallës (EMRI)

Jo më larg se dje, një njeri i medias, që pretendon se është intelektual, na sjell si model të zgjedhurin nga populli Tom Doshin, sepse, ky i ka marrë djalin në punë. A mund të jetë ky modeli i intelektualit?! Ky modeli i tij i blen partinë një tjetër shkollëlarti, por jo intelektuali, Skënder Gjinushit. Gjendje e rëndë, partitë dhe deputetët në treg nga xhambazët kryetarë. Për çfarë vlerash e modelesh mund të bëhet fjalë këtu?!! A mendoni ju se Tom Doshi di se çfarë është socialdemokracia, apo demokracia?! Ok. Ç’të të them? Socialdemokracia shqiptare sot përfaqësohet nga Tom Doshi! Kjo i thotë të gjitha. Aq sa ka lidhje Tom Sojeri me komunizmin, aq lidhje ka Tom Doshi me socialdemokracinë. Por me Gjinushin ka… ky është vetingu.

A mendoni ju se Fidel Ylli, di se çfarë janë socialdemokracitë apo doktrinat dhe filozofitë e shtetit? Ata njohin mirë gjuhën e skalioneve të krimit nëpërmjet shtetit kriminal dje dhe sot, që i përdor këta në ruajtje të pushtetit. Shikoni se si kanë lëvizur Tomrat, Fidelat, Paulinat, Ndokat, që bashkëpunojnë me ata që quajnë veten intelektualë, por në fakt janë shkollëlartë.

Ç’mund t’i lidhë Ramën me këta, përveçse pastrimit të parasë së krimit nëpërmjet politikës dhe mbajtjes dhe marrjes së të gjitha pushteteve, për të ndenjur në pushtetin e krimit si garant i mosfunksionimit të shtetit të së drejtës dhe rrudhjeve të lirisë nëpërmjet inkriminimit të gjithë shoqërisë, ku të vetmen rrugë për të jetuar kanë trafiqet ilegale të drogës. Këtë, Rama nuk mund ta mohojë më. Shqipëria sot është nga parcelat më të mëdha në botë si kultivim HASHASHI e mund të themi më e madhja për sipërfaqen që ka.

Krimi dhe politika janë në simbiozë dhe nuk mund të jetojnë pa njëra-tjetrën sot. Këtë e kanë garantuar me Kodin Zgjedhor të 2008-s ku nuk kemi më zgjedhje, por emërime të ushtarëve të krimit që sjellin paratë e krimit në arkën e partisë, për të prodhuar para të tjera, duke garantuar pushtetin nëpërmjet krimit dhe pushtimit të institucioneve të shtetit të kapura nga krimi dhe korrupsioni administrativ që ushqehet me paret e krimit.

LEXO EDHE:  "Jazëk të qoftë, po të duam ta rrëzojmë qeverinë", Erdogan kërcënon sërish Ramush Haradinajn

Shoqëria shqiptare tashmë është e pandjeshme e lodhur nga tranzicioni i gjatë si pëlhura e Penelopës, me gënjeshtrën europiane sikur do zbresë Mesia nga Qielli! Kjo shoqëri e amorfizuar nga aroma e kanabisit është lënë në pikë të hallit. Populli jo vetëm i pranon, por dhe i mistifikon këta Baraba, që duhen gozhduar në shtyllën e turpit.

Në Shqipëri ekziston ligji i dekriminalizimit pas insistimit të opozitës në dy-tri vitet e fundit, por megjithëse mjaft prej tyre kanë dalë nga politika, disa kanë mbijetuar. Pse kanë nevojë partitë për persona të tillë, 28 vjet pas rënies së komunizmit dhe kur po pretendojmë të hapen negociatat me BE?

Fare e thjeshtë. Kjo tregon inkriminimin e politikës dhe pafuqishmërinë e shoqërisë dhe institucioneve për të pastruar politikën. Kjo, sepse të gjithë së bashku ushqehen nga paratë e krimit. Shiko ish-Prokurorin e Përgjithshëm, i paguar nga krimi për të mbuluar krimet. Dy ministra të Brendshëm të lidhur me trafiqet botërore të drogës. Gjykatat janë pjesë e pastrimit të kriminelëve me pafajësitë që u japin dhe gjykatësit janë më të pasurit sot si pasuri me paratë e marra për lirimin e krimit e kjo do të thotë vazhdimësi e krimit.

Ne këtë gjendje që është gjithë ngrehina shtetërore e kapur nga krimi dhe korrupsioni galopant, nga mënyra si është trajtuar prona dhe vjedhja dhe masakrimi i pronës publike për pastrimin e parasë së krimit duke denatyralizuar dhe natyrën (shikoni vetëm bregdetin çfarë katastrofe fizike dhe ekologjike) mendoni se po bëjmë hapa drejt Europës, apo drejt Dum Babës me brekushet e Edi Ramës dhe Çallmës së Erdoganit?!

Jo zotëri, ata që rrinë, bëjnë bla-bla-bla si intelektualë, le të sakrifikojnë dhe të përballen me këtë gjendje të rëndë që ndodhet vendi dhe mos të shërbejnë si gjoja analistë apo intelektualë, kur, në fakt, shërbejnë si matrapazë të fjalës, si dje dhe sot.

Mendoj se koha po kalon dhe nesër do të jetë shumë vonë, sot dhe jo nesër, tani dhe jo më vonë, Shqipëria dhe shqiptarët kanë nevojë për një shkundje për t’u shkëputur nga kthetrat e krimit. Përndryshe, do të marrim jo vetëm mallkimin e fëmijëve, por edhe ndëshkimin e historisë. /Panorama

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook