Ballina Kryesore CAS sqaron fuqinë e vendimeve që merr, ky është mesazhi për Skënderbeun

CAS sqaron fuqinë e vendimeve që merr, ky është mesazhi për Skënderbeun

Një gjyq në Bruksel mes një klubi zviceran dhe organizatave si FIFA, UEFA dhe FIFPro, ka bërë shumë bujë në vendin tonë në ditët e fundit, pasi vendimi i pritshëm mund të ndikojë vendimet që dalin nga CAS i Lozanës.

Sigurisht, çdo gjë lidhet me klubin e Skënderbeut, i cili bëhet gati të apelojë atje vendimin e UEFA-s për përjashtimin 10-vjeçar të korçarëve nga aktivitetet ndërkombëtare.

Në fakt, ngjarja ka bërë bujë në të gjithë Europën, pasi sipas “vipsport.al” mendohej se vendimi i Gjykatës së Apelit në Bruksel mund të shfuqizojë vendimet që dalin nga CAS në Lozanë, duke i kaluar autoritetin gjykatave civile në vendet përkatëse.

Por vetë CAS, nëpërmjet një komunikate për mediat, ka sqaruar se çfarëdo që do të dilte nga gjyqi i tetorit, kur do të merret vendimi përfundimtar, nuk do të ndikonte absolutisht procedimin e drejtësisë sportive.

“Gjykata është marrë vetëm me përshkrimin e vendimit të CAS, si është shkruar ai dhe vendimi që mund të dalë nuk ka efekt global. Në fakt, gjykata në Bruksel nuk merret me kompetencën e CAS në këtë çështje, as nuk ka shprehur kundërshti dhe as vërejtje ndaj arbitrazhit sportiv. Për më tepër, asnjë nen i CAS nuk është cilësuar “ilegal” në Bruksel”, shkruhet në komunikatën e dalë nga Lozana.

“Vendimi i Brukselit nuk ndikon vendimin e CAS rreth kësaj çështje, por e vetmja vështirësi është që mund të përfundohet me dy vendime: njëri që zbatohet vetëm në Belgjikë, dhe tjetri i përforcuar edhe nga Gjykata Supreme Zvicerane, që zbatohet në pjesën tjetër të botës”, vijon komunikata e CAS-it.

“Gjithsesi, rreziku që një gjykatë kombëtare të mos njohë arbitrazhin e CAS apo nuk zbaton vendimet e tij është shumë i kufizuar, i rrallë dhe varet nga legjislacioni lokal. Janë përjashtime të izoluara që nuk janë të reja. Kush do të apelojë CAS, mund t’i drejtohet Gjykatës Supreme në Zvicër”, shkruhej në komunikatën e CAS-it.

LEXO EDHE:  FOTO/ Luana Vjollca do të "djeg" ekranin mbrëmjen e sotme , ja si do të jetë veshur në emisionin e ri "Mbretëresha e Instagramit"

Me pak fjalë, CAS la të kuptohej se çështja që po trajtohej në Bruksel nuk do të ndikonte vendimet që do të dilnin prej tij në të ardhmen, duke shuar kështu shpresat e Skënderbeut që të kishte një rrugëzgjidhje “kombëtare” për çështjen e dënimit nga UEFA.