Ballina Dossier DOSSIER/ Nga “Kobra” tek Teme Sejko, ja kush ishin agjentët më të...

DOSSIER/ Nga “Kobra” tek Teme Sejko, ja kush ishin agjentët më të famshëm shqiptarë dhe historia e tyre

Njihet pak historia e agjentëve shqiptarë që shërbyen në Sigurimin e Shtetit dhe në shërbimet e tjera.

Tre prej tyre janë pseudonime, dhe zyrtarisht nuk publikohen emrat e tyre, por vetëm emri që janë njohur në shërbime, ndonëse jepen të dhëna të detajuara për veprimtarin e tyre.

Njëri prej tyre, Sabaudin Haznedari ka qenë një nga bashkëpunëtorët e grupit të Xhevdet Mustafës, i cili u vra në misionin e tij në Shqipëri nga pjesëtarë të Sigurimit të Enver Hoxhës.

Teme Sejko është një tjetër person që ka bërë histori në fushën e agjenturës. Ai ka qenë një nga drejtuesit më të lartë të ushtrisë pas luftës por më pas, u akuzua si agjent i shërbimeve sekrete greke dhe u ndëshkua nga Hoxha.

Në këtë shkrim po sjellim për antaret e forumit një profil të shkurtër të Hamit Matjanit, i cili konsiderohet si një nga agjentët më të mirë shqiptarë që punonte për llogari të CIA-s.

Madje, ai u pagëzua me nofkën “Tigri” nga shefi i agjencisë amerikane, Dulles. Po ashtu, do të prezantojmë edhe biografinë e shkurtër të Hysen Lepenicës, që ka të njëjtën histori bashkëpunimi me Matjanin, në radhët e CIA-s.

Të gjitha këto informacione janë marrë nga arkivat e shtetit dhe synojnë thjeshtë për të dhënë një informacion të përgjithshëm për agjentët më të njohur shqiptarë në të gjitha shërbimet.

“Gramafoni”
“Gramafoni” është një nga agjentët jugosllavë me kombinacion në vendin tonë dhe me një histori të veçantë me karakter përgjithësues për sa i përket formave dhe metodave të veprimtarisë së zbulimit jugosllav ndaj vendit tonë.

Ai ishte me orgjinë nga Padeshi i Tropojës dhe kishte lindur në Vlorë, më pas i ati i tij oficer gjatë kohës së Zogut ishte vendosur në Jugosllavi. Para se jugosllavët ta fusnin “Garmafonin” në Shqipëri, i bënë një kurs intensiv. “Gramafoni” u fut në Shqipëri në vitet ‘50 nga kufiri jugosllav, si një kosovar që përndiqej nga serbët.

Ai u vendos në fillim në Fier, por veprimtaria e tij i ra menjëherë në sy Sigurimit të Shtetit. Pasi u kap “Gramafoni” pranoi qenien e tij në shërbim të zbulimit jugosllav, pasi iu paraqitën disa prova tekniko-shkencore dhe më pas ai punoi për Sigurimin e Shtetit, duke bërë një lojë të dyfishtë. Për të mos rënë në sy të zbulimeve jugosllave, ai u burgos për disa vjet në burgun e Burrelit dhe më pas Sigurimi i Shtetit e dërgon atë jashtë vendit për interesa të tij.

“Dielli”
Një nga agjentët më të mirë me origjinë shqiptare, por që ka vepruar në dëm të shtetit shqiptar, ka qenë edhe ai me pseudonimin Dielli. I dërguar për të vjelë informacion në Greqi në vitet e para të çlirimit “Dielli”, me origjinë çame, oficer i shërbimit sekret shqiptar në vitin 1946 raportohet i vrarë.

Për këtë arsye, shteti shqiptar i asaj kohe e shpalli “Diellin” në mënyrë sekrete dëshmor dhe familjes së tij iu lidh pension i posaçëm dëshmori. Pas disa vitesh, kundërzbulimi i Shërbimit Sekret Shqiptar vërtetoi se “Dielli” ishte shëndoshë e mirë dhe se vepronte si interlokutor midis qendrës se shërbimit të jashtëm sekret dhe grupit të spiunazhit të huaj, ngritur në klandestinitet të thellë në Shqipëri. Kjo tregoi se agjenti sekret “Dielli” kishte bërë lojë të dyfishtë dhe kishte mashtruar shërbimet sekrete shqiptare.

Hamit Matjani
Drejtori i CIA-s në vitet ‘50, Allen Dulles i kishte vënë Hamit Matjanit nofkën “Tigri”. I cilësuar si një nga agjentët më të mirë shqiptarë që punonte për llogari të CIA-s, Matjani kishte arritur të realizonte shumë aksione në Shqipëri për rrëzimin e regjimit komunist.

I larguar nga Shqipëria menjëherë pas ardhjes në pushtet të regjimit komunist, “Tigri” kishte arritur të desantonte në Shqipëri gati 26 herë. Kjo e kishte bërë atë që të quhej nga shërbimi sekret amerikan si njeriu më i zotë për të desantuar në Shqipëri.

Në të gjitha rastet që ai kishte hyrë në Shqipëri, ishte futur nga toka nëpërmjet Greqisë. Herën e fundit që ai u fut në Shqipëri ai u hodh me parashutë nga ajri. Në vitin 1953, vetëm pak kohë pas zbarkimit në malet e Shëngjergjit në Elbasan, ai do kapej nga organet e Sigurimit pas kurthit që ata i kishin bërë me anë të radios ndërlidhëse. Ai u dënua me vdekje (me varje) dhe u ekzekutua më 14 prill 1954.

Hysen Lepenica
Hysen Lepenica ka qenë një nga agjentët shqiptarë që punonte për llogari të CIA-s. Veprimtarinë e tij ai e kreu kryesisht në fund të viteve ‘40. Ku pasi ishin trajnuar nga oficerë të CIA, ai së bashku me disa agjentë të tjerë zbarkon në Shqipëri me detyrë për të rrëzuar regjimin e komunist.

Ata zbarkuan në Grykën e Dukatit në tetorin e vitit 1948. Pasi nëndetësja doli në sipërfaqe, Hysen Lepenica, Zagoll Shena, Safet Kaba, etj. me anë të një varke gome iu drejtuan bregut. Por misioni i tij do dështonte për shkak se ranë pre e një kurthi të ngritur nga Sigurimi i Shtetit.

Siç rezultoi më vonë, shkak për dështimin e tyre ishin informacionet që agjenti sekret Kim Filbi u kishte dhënë sovjetikëve në lidhje me misionin e tyre. Sovjetikët ua kishin dërguar menjëherë këtë informacion Sigurimit të Shtetit, të cilët kishin organizuar pritën.

“Kobra”
Është një nga agjentët shqiptarë me histori më interesante ndër figurat e Shërbimit Sekret. “Kobra” kishte luftuar me devotshmëri si partizan në kohën e luftës e më pas ishte vënë në shërbim të Sigurimit të Shtetit.

Por jo vetëm të tij, por edhe të Shërbimit Inteligjent të Amerikës, pra të CIA-s. Në vitin 1949 ai ishte “arratisur” në Amerikë, ku u trajnua për dy vjet nga CIA. Ai kishte kryer ndërkohë Akademinë Ushtarake në Moskë, dhe kishte njohje me personalitete të KGB-së që kishin qenë pedagogët e tij atje.

“Kobra” njihej si agjent shëtitës i CIA-s, me disa emra e funksione, me foto të ndryshme, herë me mjekër e mustaqe e herë i rruar, herë me kaçurrela brune, e herë biond e herë tullac. Një nga agjentët më profesionistë të Sigurimit të Shtetit dhe të CIA-s, u dënua nga të dyja shërbimet dhe qeveritë.

Nga Partia e Punës u akuzua si tradhtar dhe si “shërbëtor i imperialistëve amerikanë”, ndërsa nga CIA, si agjent i Sigurimit. Ai burgoset nga kjo e fundit dhe kthehet në Shqipëri disa muaj para se të vdiste. “Kobra” kreu shumë funksione të suksesshme për llogari të Sigurimit dhe të CIA-s, duke u qëndruar besnik të dy këtyre shërbimeve.

Sabaudin Haznedari
Ai ishte një nga anëtarët e grupit të Xhevdet Mustafës, të dërguar nga CIA për eliminim e Enver Hoxhës. Sabaudin Haznedari kishte lindur në Durrës dhe kishte qenë një njeri shumë aktiv gjatë Luftës Nacionalçlirimtare. Pas çlirimit ai mori disa poste drejtuese, por më vonë pas një konflikti me një nga krerët e partisë së këtij qyteti ai pushohet nga puna.

Në vitin 1950 ai arratiset nga Shqipëria së bashku me një shokun e tij dhe vendoset në fillim në Greqi, më pas në Turqi e në fund në Itali. Gjatë kësaj periudhe ai rekrutohet nga shërbimet sekrete të huaja dhe fillon të punojë për ta. Në vitin 1982 ai zbarkon në Divjakë bashkë me Xhevdet Mustafën. Por vetëm pak orë pas zbarkimit, grupi i tyre zbulohet në qytetin e Rrogozhinës, dhe gjatë një përplasje me policinë Sabaudin Haznedari vritet.

Teme Sejko
Teme Sejko është quajtur nga Sigurimi i Shtetit si një nga agjentët më të rrezikshëm që kanë punuar për agjenturën greke. Madje, sipas Sigurimit të Shtetit, në bazë të dokumenteve dhe deklarimeve të ish-agjentit Teme Sejko, grupi i tij kishte si detyrë rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës.

I lindur në vitin 1922, në Filat të Çamërisë, gjatë Luftës së Dytë Botërore ai ishte një nga themeluesit e çetës “Çamëria”. Pas çlirimit ai mori poste shumë të rëndësishme, madje ishte një nga gjeneralët e parë shqiptarë si dhe kundëradmiral i Flotës Shqiptare.

Ai ishte rekrutuar për llogari të shërbimeve greke nga i vëllai i tij më i madh, Taho Sejko. Grupi i drejtuar prej dy vëllezërve u zbulua në vitin 1960, ku dhe u kryen arrestime të shumta.

Sipas dokumenteve të Sigurimit të Shtetit, u arrestuan mbi 2 mijë vetë, kryesisht çamë, si anëtarë të grupit agjenturor, por me një urdhër nga lart u liruan të gjithë përveç 200 personave. Pas arrestimit, Teme Sejko i pranoi të gjitha akuzat për spiunazh. Ai u dënua me vdekje dhe u pushkatua po atë vit.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook