Ballina Kryesore “Festë simbol e sakrificës, sa më shumë paqe, tolerancë, mirëbesim dhe begati…”,...

“Festë simbol e sakrificës, sa më shumë paqe, tolerancë, mirëbesim dhe begati…”, Meta uron për Kurban Bajramin

Përmes një postimi në “Facebook”, presidenti i Republikës, ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për Festën e Kurban Bajramit.

Teksa e cilëson këtë festë si simbol të sakfrificës, që na fton të ndajmë të mirat njerëzore e fetare me të dobëtit, Meta bën thirrje për sa më shumë paqe, tolerancë, mirëbesim dhe begati.

Postimi i plotë
Të dashur besimtarë myslimanë shqiptarë!
Dita e shenjtë e Kurban Bajramit na kujton ripërtëritjen e ndjenjave të besimit, të devotshmërisë, të thjeshtësisë e të përuljes para të Plotfuqishmit.
Kjo ditë feste e bashkimi, simbol i sakrificës sublime, thekson besimin e patjetërsueshëm ndaj vlerave më të mira fetare e njerëzore, duke na ftuar të ndajmë begatinë tonë me më të vobektit, me më të pafatët dhe me ata që gjenden në nevojë.
Mbi gjithçka kjo Festë përjetëson e vërteton harmoninë dhe bashkëjetesën fetare proverbiale, që e ka karakterizuar kombin tonë prej shekujsh.

Në këtë ditë të shenjtë dëshiroj të uroj besimtarët myslimanë shqiptarë kudo ndodhen:

Gëzuar dhe përshumëvjet Festën e Kurban Bajramit!

Ju uroj nga zemra sa më shumë mirësi, solidaritet, mirëkuptim e dashuri në familjet tuaja si dhe mes njëri-tjetrit, të gjithë shqiptarëve kudo ku jetojnë!
Sa më tepër paqe, tolerancë, mirëbesim e begati!
Zoti i ndihmoftë shqiptarët dhe Shqipërinë për jetë të jetëve!🇦🇱