Ballina Kryesore Fitorja e Dukës në FSHF, Fino nuk pranon rezultatin: Do i drejtohet...

Fitorja e Dukës në FSHF, Fino nuk pranon rezultatin: Do i drejtohet KAS-it dhe FIFA-s

Pas përfundimit të procesit të zgjedhjeve dhe numërimit të votave për kreun e FSHF-së, ku fitues u shpall Armando Duka, ka reaguar kandidati tjetër Bashkim Fino.

Pasi ka uruar Dukën për fitoren e mandatit të pestë në krye të FSHF-së, në një dalje për mediat, Fino deklaroi se procesi ishte i parregullt, pasi lista e anëtarëve duhet të ishte e pavarur.

Ai tha se do të ndjekë rrugën ligjore, duke iu drejtuar KAS dhe FIFA.

“Kur ke një listë të pandershme përpara nuk mund të pretendosh më tepër për të thyer rezultatin. Natyrisht që do ishte një garë më e fortë, nëse do shikohej platforma më e mirë. Por lista duhet të ishte e pavarur.
Realisht anëtarët e Asamblesë e ngritën çështjen e shoqatave. Por komisioni i vlerësimit lexoi një raport që e kishte bërë paraprakisht gati, përgjigjet që dhanë juristët këtu, treguan se kishte konflikt interesi.

Qëndrimi im nuk ka të bëjë me faktin nëse dua apo jo unë të jem president, por ky proces duhet të jetë i rregullt. Rezultati është i anëtarëve të asamblesë të cilët janë të certifikuar nga ky komitete të cilët ne i kundërshtojmë. Unë kam të drejtë të vazhdoj procesin ligjor. Gjithsesi unë i urova suksese Dukës. Kjo bëhet për të ardhmen e futbollit shqiptar dhe jo për mua personalisht”, tha Fino.