Ballina Aktualitet Amerikën, që e duan “larg by**ës” së tyre – Kujt i drejtohet...

Amerikën, që e duan “larg by**ës” së tyre – Kujt i drejtohet gazetari i njohur?

Ka një situatë të papërgjegjshme në raport me interesat e SHBA në Shqipëri dhe Kosovë, që po tentojnë të hidhen në erë nga politikanë sharlatanë dhe…

Nga Mero Baze

Ka një situatë të papërgjegjshme në raport me interesat e SHBA në Shqipëri dhe Kosovë, që po tentojnë të hidhen në erë nga politikanë sharlatanë dhe një situatë tjetër të SHBA me botën, ku të njëtët politikanë sharlatanë po tentojnë të bëjnë vendin qesharak.

Sali Berisha me enturazhin e vet në Shqipëri dhe Hashim Thaçi me Ramush Haradinaj në Kosovë, kanë dalë publikisht hapur kundër asaj që vet SHBA e ka konsideruar interes strategjik të SHBA në Shqipëri dhe Kosovë. SHBA e kanë konsideruar “Reformën në Drejtësi” në Shqipëri interes strategjik të SHBA dhe në momentin kur opozita e Sali Berishës e Ilir Metës, tentoi ta refuzonte votimin, ata njoftuan aplikimin e instrumentave të ndëshkimit për deputetët që do të refuzonin votimin, një praktikë e njohur prej tyre ndaj politikaneve që i bien ndesh interesave të SHBA, në një vend të caktuar.

Seanca e fundit u përsërit me prokurorin e Përkohshëm, por shumica i kishte votat dhe nuk kishte krizë. Në retorikën e tyre kundër SHBA, që nga Sali Berisha e deri tek Monika Kryemadhi, ata flasin për nevojën që SHBA të mos sillet si “guvernante” në Shqipëri, që vendi ynë t’i zgjidhë vet punët e veta, që SHBA të mos ndërhyjë në këto çështje etj. Më tej kanë bërë copë ambasadorin e SHBA e BE, që kanë rekomanduar votimin e kryeprokurorit.

Në Kosovë e njëjta situatë. Kosova, një shtet i çliruar dhe ndërtuar nga SHBA, ka interes strategjik krijimin e Gjykatës Speciale, si standart besueshmërie për Perëndimin, që aty po ndërtohet një shoqëri e drejtë, një shtet ligjor dhe një vend i lirë. Natyrisht që Gjykata do hapë plagë të reja mes atyre që do të jenë subjekte të saj, por ai është çmimi i lirisë që duhet paguar për shtetin e Kosovës.

Nën ndikimin e qartë të Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinaj, 47 deputetë nga ata të krahut të luftës,  tentuan të nisin procedurat për shfuqizmin e ligjit të Gjykatës Speciale, dhe detyruan ambasadorin e SHBA në Kosovë, ta quajë thikë pas shpine për SHBA votimin kundër Gjykatës. Ambasadorët e tjerë të Perëndimit paralajmëronin thuajse fundin e shtetit të Kosovës.

Në mënyrë dramatike, ata njerëz që vite më parë thoshin se ishin gati të vdisnin për lirinë e Kosovës, dje ishin gati të vdisnin Kosovën, për lirinë e tyre.

Por në mënyrë paradoksale, të njëjtët liderë, në Kosovë dhe Shqipëri, u shprehën njëzëri se vota e Shqipërisë, e cila ishte njësoj si vota e gjithë vendeve të BE e NATO, që nuk ishte në anën e SHBA për Jeruzalemin, ishte tradhti e madhe ndaj SHBA.

Kjo është jo vetëm hipokrizi, por dhe mentalitet i rrezikshëm banditi, që e llogarit SHBA si një cub, që i duhet dalë në krah në luftrat e saj në botë, me kusht që ajo të mos u përzihet në punët e veta në katundin e tyre.

Shqiptarët i janë mirënjohës SHBA dhe duhet të jenë në aleancë historike me të në trojet shqiptare, për atë që ajo ka bërë për lirinë e Kosovës dhe demokracinë në Shqipëri.

Mbështetja shqiptare për SHBA tregohet në Shqipëri dhe Kosovë  në ngërçet e tyre për të ecur në rrugën e një shteti ligjor, pro perëndimor dhe me një kohezion të plotë me frymën amerikane të lirisë.

Asgjë nuk e bën më anti-perëndimore Shqipërinë dhe Kosovën, se refuzimi i disa politikanëve shqiptarë, për të mbështetur investimin amerikan dhe europian për reformën në drejtësi dhe Gjykatën Speciale në Kosovë. Sali Berisha, Ilir Meta dhe Luzlim Basha janë gati të shpallin pavarësinë e Shqipërisë nga SHBA dhe nxjerrjen jashtë të ambasadorit Donald Lu, për by**ën e tyre, nga frika e reformës në drjetësi, dhe nga ana tjetër, në mënyrë qesharake bëjnë sikur janë gati të vishen ushtarë e të shkojnë Jeruzalem për t’i qëndruar në krahë SHBA-së, ku nuk është nevoja. Shqipëria nuk ka asnjë peshë në politikën botërore, përveç politikës së saj të brendshme. Ne bëhemi të njohur në botë vetëm kur shpërthejmë ndonjë luftë brenda vendit dhe bëhemi problem për botën. Ne nuk jemi vendi që zgjidhim probleme, por vendi që krijojmë probleme. Votimi për Jeruzalemin, është votim shtetëror dhe jo politik, që respekton historinë e raporteve të Shqipërisë me OKB, BE, dhe  NATO, të cilat kanë votuar si Shqipëria. Asgjë nuk e bën armiqësore Shqipërinë me SHBA në këtë votim, përveç emocioneve të numrave, që ishin shumë pak në anën e SHBA. Në dosjen SHBA- Shqipëri nuk ekziston ndonjë çështje e quajtur Jeruzalem, por një çështje e quajtur “Reformë në Drejtësi”, dhe aty ka plot njerëz të shënuar me vizë të kuqe.

Po ashtu qesharak u bë në Kosovë, Hashim Thaçi, i cili u betua se do ishte edhe i vetëm pro Jeruzalemit, me SHBA. Dukej sikur kishte të drejtë, pasi Kosova është shtet i ri dhe e ka jetën prej SHBA, por një ditë më pas i dha fund farsës, duke çuar deri në shkatërrim total të raporteve SHBA- Kosovë, duke nisur shfuqizimin e ligjit për Gjyaktën Speciale, që është i gjithi investim amerikan në Kosovë.

Për të qenë me i ndershëm është më mire të mbajë SHBA në Kosovë, se sa ta zbojë atë, siç po bën, me Gjykatën Speciale. Se SHBA duhet trajtuar si mike e madhe për hallet që ajo ka në Shqipëri me ne, dhe jo për hallet e SHBA në botë, se ato i zgjidh vetë.

Berisha, Meta, Thaçi e Haradinaj, po përpiqen të zbojnë SHBA nga Shqipëria e Kosova për by**ën e tyre, dhe po përpiqen të na mbushin mendjen se janë gati të shkojnë të vriten për të në Jeruzalem.

Qetësohuni!

Këtu e keni SHBA nëse doni “të vdisni për të”. Këtu i kini ambasdorët e saj që i mallkoni nga mëngjesi në darkë. Në publik i keni deklaratat kundër tyre. Zgjidhni hallet e SHBA në Shqipëri dhe do ta lehtësoni atë, të ketë më shumë kohë të zgjidhë hallet e saj në botë. Halle të krijuar nga politikanë si ju.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook