Ballina Kryesore FOTO/ Si po “rrjepen” shqiptarët nga kompanitë farmaceutike dhe Ministria e Shëndetësisë

FOTO/ Si po “rrjepen” shqiptarët nga kompanitë farmaceutike dhe Ministria e Shëndetësisë

Një nga problematikat e shumta me të cilat përballet vendi ynë është edhe çmimi i lartë i barnave mjekësore.

Ankesat kryesisht vijnë nga pensionistët, të cilët kanë deklaruar si jashtë kamerave, por edhe publikisht në media, që nuk arrijnë dot t’i përballojnë çmimet stratosferike të ilaçeve.

Por si për ironi të fatit, të njëjtat ilaçe që tregtohen në Shqipëri, jashtë shtetit shiten me çmime shumë herë më të lira.

Kjo gjë dëshmohet dhe nga dy foto të siguruara nga “DuaLajm.com”, ku shihet i njëjti preparat, nga e njëjta kompani farmaceutike, me të njëjtën dozë e përmbajtje, që në Greqi shitet 5.97 Euro, diçka më pak se 7 mijë e 500 lekë të vjetra, ndërsa në vendin tonë shitet 3-fish, diçka më shumë se 22 mijë lekë të vjetra.

Siç shihet dhe në foto, produkti mjekësor “Nebilet”, mban edhe vulën e Ministrisë së Shëndetësisë.

Ky ilaç përdoret për trajtimin e hipertensionit, si dhe për dështimin e ventrikulës së majtë të zemrës.

A mund të jetë i vetmi produkt mjekësor që shitet me një çmim kaq stratosferik në Shqipëri, krahasuar me çmimin që mban në shtetin fqinjë, Greqinë? 

Këtë gjë nuk mund ta themi, por duke u bazuar nga ankesat e shumta lidhur me çmimet e barnave mjekësore, duket se ky fenomen ka një përhapje të frikshme në vendin tonë.