Ballina Aktualitet Fotogaleri/ Curraj i Epërm një mrekulli e fshehur në alpet veriore të...

Fotogaleri/ Curraj i Epërm një mrekulli e fshehur në alpet veriore të Shqipërisë

Pasioni i jashtëzakonshëm që ka për natyrën e ka kthyer në fotograf, dhe pse në profesion është jurist. Ai ka vizituar shumë vende të trojeve shqiptare, ku më parë nuk ka shkelur këmba e njeriut.

Pos që i përshkruan me fjalë, ai vizitën në këto vende e dokumenton duke i fotografuar. Së fundmi super alpinisti i cili e do kaq shumë Shqipërinë ka qenë në veri në një fshat të quajtur Curraj i Epërm.

Postimi i Nëntor Osekut :

Ndonëse Currajn e Epërm e kam vizituar katër herë më parë, magjia e bukurisë së kësaj zone të tërheqë në vazhdimësi. Këto ditë, me njerëz të mrekullueshëm, këtë zonë e vizitova për të pestën herë, thellësisht i bindur se nuk do të jetë hera e fundit.
E falënderojmë Fatmira Prebibaj dhe Edison Vukaj nga Bujtina ” Martin Prebibaj” për mikpritjen e veçantë!
Curraj i Epërm është fshat i thellë malor në veriun e Shqipërisë dhe konsiderohet si një ndër fshatrat më të bukura të Alpeve Shqiptare dhe shumë pak i frekuentuar për shkak të pozitës gjeografike.
Ky fshat sot ka rreth 170 shtëpi, të cilat janë të braktisura tërësisht. Gjatë verës në këtë fshat vijnë 5-6 familje, të cilat merren kryesisht me blegtori. Mbiemrat më të njohur në Curraj të Epërm janë: Perpepaj, Nikbibaj, Prebibaj, Mrishaj, Çokaj, Malndreaj, Gecaj dhe Ndrevataj.
Kjo zonë ka klimë malore me dimra të ashpër, me reshje të shumta bore dhe me verë relativisht të freskët. Temperatura mesatare vjetore është 11,5 gradë C. Nga reshjet ujore rritet lumi i Currajve. Bimësia është e zonës së dushkut, ahut e pak pishë. Ka kullota të pasura alpine. Kufijtë e kësaj zone janë të vendosur që nga Mali i Hekurave, Qafa e Kolçit, në lindje, vazhdon me Qafën e Agrit, në perëndim dhe në jug me Toplanën.
Lumi Drin e ndan këtë zonë me Pukën. Qafat kryesore që zotërojnë mbi këtë zonë janë Qafa e Kolçit, që lidh luginën e Nikaj-Mërturit me Krasniqen, të dyja fise të Malësisë së Gjakovës.
Zona e Nikaj-Mërturit përbëhet prej 14 fshatrave dhe ato janë:Lekbibaj, Salcë, Palçë, Kotec, Brise, Vranë, Gjonpepaj, Peraj, Tetaj, Curraj i Poshtëm, Betosha, Shëngjergj, Qeresh-Mulaj dhe Curraj i Epërm.
Dëshmitë arkeologjike tregojnë se kjo hapësirë gjeografike, që sot i përket fisit të Nikajt, ka qenë e banuar qysh në kohën e bronzit të vonë, rreth 1200 -1000 vjet para Krishtit.
Fiset e Nikajve dhe të Mërturit janë një krahinë e vetme që shtrihet në pjesën perëndimore të Rrethit të Tropojës, në Jug-Lindje të Alpeve Shqiptare, në kufi me rrethin e Dukagjinit. Është e ndërtuar prej gëlqeres, dolomitësh dhe rreshpesh të mezolitit, që përbëjnë pellgun e lumit të Nikajve dhe kreshtat e larta alpine e rrethojnë të tilla si: maja e Hekurave, grykat e Hapëta, maja e Kakisë, 2360 m, maja e Ndërmanjës, 2250m.
Lugina e Nikaj-Mërturit përshkohet nga dy lumenj, të cilët nuk shterojnë asnjëherë: lumi Nikaj dhe lumi Mërtur, që bashkohen në Mertur dhe derdhen në lumin Drin.
Gjeografia e Nikaj-Mërturit është e pasur me bjeshkët e saj të shumta dhe të bukura, si Kakia, T`thermja e të tjera, të cilat shërbejnë për verimin e bagëtisë. Në përshkrim gjeografik të Nikaj-Mërturit një vend me interes paraqesin edhe disa emravende( toponime), siç janë: Shtegu i Dashit, Rrasa e Currajve, Shpella e Lumit, Qafa e Rrethit, Qafa e Derëzave, Shpella e Kakverrit, Rruku i Nikajve, Kodra Plakë, Gurrat e Lumit të Zi, Qafa e Murrizit, Qafa e T’thermes, Fusha e Shukut, Kodra e Palçit, Guri Murg, Korja e Mërturit, Qafa e Kolçit dhe Qafa e Agrit, etj.
VIZITONI SHQIPËRINË!