Ballina Kryesore Fuga: Na duhet një ligj kundër skllavërisë moderne

Fuga: Na duhet një ligj kundër skllavërisë moderne

Nga Artan Fuga

Në vëmendje të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë

Ngjarjet e fundit të turpshme në universitetet publike kur për shkak të ngërçeve midis ministres së arsimit dhe ministrit të financave, sikurse deklaroi kryeministri i vendit, u la pa paguar personeli i tyre, të bëjnë të reflektosh. Ata që e lanë deri në atë pikë problemin derisa u bllokuan pagat, sigurisht i marrin rrogat e tyre të majme. Arsyeja më e thjeshtë e çdo fëmije 5 vjeç e sipër e kupton që po të mos kishin reaguar pedagogët e universitetit të Tiranës, që ndodhet në qendrën e goditjeve të frymëzuara nga lobi të udhëhequra nga interesa të dyshimta financière ose antishqiptare, ndofta historia do të kishte zgjatur me javë e me muaj.

Të mos paguash punën e bërë, kjo sot në Perëndim quhet skllavëri moderne dhe dënohet me ligj.

Nëse dëshirojmë të integrohemi në Europë nuk duhet të ecim me logjikën e Sudes, që vononte fillimisht pagesat pastaj u zbërthye dhe deklaroi : “Nuk kam më lekë”.

Eshtë nder të kërkosh të drejtat e tua.

Jo me ditë por asnjë orë nuk duhet të shkelet afati i pagesave. Kush nuk lufton për të drejtat e veta me vigjilencë qytetare dhe intelektuale është me mentalitet robi dhe skllavi, në mos qoftë nga ata pedagogë që as kujtohen për rrogën sepse marrin të ardhura me anë të korrupsionit.

Ja përse duhet një ligj kundër skllavërisë moderne.

Sepse mbajtja e pagave është bërë kulturë sot dhe më së fundi kjo prapesi skllavëruese kapi edhe shtetin dhe marrëdhëniet e tij me të punësuarit e tij.

Ky është turpi i vërtetë.

Pa ta shohim pak nga afër situatën!

Në sektorin e mediave jo rralle ka vite që është bërë rrugë që gazetarët paguhen me vonesa disamujore. Ky është turp. Shteti e sheh dhe nuk ndërhyn. Eshtë formë e rëndë skllavërimi që vetëm ata që rrinë me gazetarët dhe nuk i quajnë ata llum kazani e dinë se çfarë poshtërimi është për ta dhe çfarë presionesh sjell kjo mbi fjalën e lirë dhe informimin e saktë të qytetarëve.

Në Universitetin e mjekësisë kjo ka qenë e përsëritur. Pedagogë të ndryshëm pohojnë se ju ka ndodhur që vonesa e pagave është bërë ndonjëherë vërtet serioze dhe nuk ka gjetur ndjeshmëri nga menaxherët për të mos u përsëritur.

Kurse në ndonjë nga ata universitetet private që ministrja e arsimit i quan ekselente, vonesa disamujore e pagave vazhdon prej disa vitesh dhe shoqërohet me heshtjen e zymtë të profesoratit që është kapur si miu në çark.

Sa sektorë të ekonomisë funksionojnë, sikurse na thonë burime, me një deklarim të dyfishtë pagash. Punonjësit marrin një pagë formalisht, një pagë formale, dhe pastaj janë të detyruar të kthejnë një pjesë të saj në duart e pronarëve si formë haraçi.

Puna e padeklaruar në të zezë vazhdon të jetë një kulturë e pashuar. Deklarohen paga të ulta vende-vende në mënyrë që të paguhen sa më pak detyrime për kontribute shoqërore.

Pasi pushohen punonjës nga puna, që gjykata u jep të drejtë, shteti vazhdon të paguajë edhe pagat e të pushuarit nga puna dhe pagën e atij që i ka zënë vendin. Kjo është pagesë për punë të pa bërë. Eshtë formë skllavërie sepse shefat e peedorin kështu buxhetin e shtetit sipas dëshirave të tyre të shfrenuara për pushtet. Ne si taksa pagues paguajme dyfish.

Pse nuk flasin gazetarët, përse nuk protestojnë? Përse nuk flasin pedagogët dhe nuk protestojnë? Përse nuk flasin publikisht, nuk protestojnë, ata punonjës që shohin se paga e tyre behet objekt spekullimesh?

Sepse mbisundon kultura e frikës se humbet vendin e punës. Të marrin për zverku dhe të hedhin në rrugë. Sepse punonjesi nuk ka te drejta ne pune.

Protesta e ndërgjegjshme e profesoratit të Universitetit të Tiranës ka meritën sublime që e çau këtë mur heshtjeje, prandaj merr një sulm të paparë nga ata që do të duhej ta falenderonin këtë akt qytetar.

Tregoi situatën e turpshme të të drejtave të punës.

Vuri gishtin mbi gjendjen e skllavërisë moderne ku paga në shumicë rastesh në sektorin publik i jepet militantit dhe nxirret nga puna punonjësi neutral politik.

Kjo është teoria e tepsisë.

Pagat në shtet, pra thesarin e Ali Babës e hap vetëm fjala magjike : Jam militant! Përndryshe askush nuk punësohet dot sipas meritave dhe kompetencave.

E di z. Edi Rama, kryeministër, këtë situatë?

A e di që në sektorin publik detyrohen punonjësit të hapin me detyrim llogari bankare atje ku dëshiron administrata dhe nuk e zgjedhin ata vetë sipas interesave dhe lirive ekonomike?

Eshtë apo nuk është kjo një formë skllavërimi?

Po e denoncoj përsëri skllavërinë moderne që është shtrirë këmbë e kryq në Shqipëri, pasi e bëne në formën e një akti sublim protestuesit e universitetit publik kur simbolikisht ja treguan vendin atij, asaj, apo atyre që guxuan t’i poshtëronin duke i vendosur në pozitën e Sudes që mblidhte paratë nga kudo për të paguar të revoltuarit e parë.

Ka ardhur koha për të drejta në punë, ka ardhur koha ta hedhim tej skllavërinë moderne.

Një ligj duhet t’i hapi udhë këtij emancipimi të madh që nisën protestuesit e universitetit publik të Tiranës, akt që do të mbetet historik.

Me pak fjalë ai do të ketë keto bene:

1 Mospagimi në kohë ose trafiku me pagat e punonjësve etiketohet skllavëri moderne.

2. Cdo punonjës ka të drejtën e pagës dhe ta marri atë në ditën e përcaktuar në kontratën e punës.

3. Cdo vonesë deri në 1 muaj e pagës çdëmtohet nga subjekti që i detyrohet punonjësit pagesën nga kontrata me një kamatë vonesë të barabartë me interesat bankare të kohës.

4. Cdo vonesë më shumë sesa një muaj nga dita e përcaktuar në kontratë ose cdo fshehje e pagës reale të punonjësit dënohet me gjoba dhe me burg për përgjegjësin administrativ. Masa e tyre përcaktohet nga ekspertët ligjorë të Kuvendit.

5. Cdo punonjës zgjedh vete vendin dhe bankën ku derdhet paga e tij.

6. Cdo punonjës ka të drejtën e një fishe page që shoqëron pagën mujore me të gjitha informacionet e detajuara të saj.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook