Ballina Kryesore Goditet grupi i fuqishëm ku djali i deputetit grek bënte trafik kokaine...

Goditet grupi i fuqishëm ku djali i deputetit grek bënte trafik kokaine me shqiptarët

Një djalë i një deputeti të njohur në Greqi dhe dy oficerë të policisë helene dyshohet se luajtën një rol kyç në grupin 11-anëtarësh greko-shqiptar të trafikimit të drogës, të goditur së fundmi nga efektivët e Policisë greke.

Grupi, siç raporton këtë të hënë prestigjiozja greke “Espresso”, i kishte shtrirë tentakulat në Atikë, Thesali dhe Peloponez dhe ka trafikuar sasi të konsiderueshme kokaine dhe hashashi. Arrestimet erdhën pas hetimeve që zgjatën katër muaj.

Të premten, oficeret e policisë vijuan me bastisje në disa banesa, duke vënë në pranga 9 persona (nga 11 të dyshuar), pesë greke dhe katër shqiptarë. Identitetet e personave të arrestuar nuk bëhen me dije. Lideri i grupit dyshohet se është një shqiptar, i cili deri më tani i ka shpëtuar prangave. Bashkë me këtë të fundit, edhe një tjetër person është në kërkim policor.

Djali i politikanit raportohet se u arrestua në banesën ku jetonte (bashkë me të atin). Ai dyshohet se kishte një rol aktiv në grup, bashkë me të dy oficerët e policisë të cilët, duke përfituar nga statusi i tyre, u dhanë anëtarëve të bandës informata për të lehtësuar veprimet e tyre. Efektivët e policisë, po hetohen në gjendje të lirë pas arrestimit. I pari shërbente në Atikë ndërsa i dyti në Grevena.

Droga trafikohej me autobusë, por edhe me rrugë ajrore. Gjatë bastisjeve në banesat e përdorura nga të dyshuarit, policia gjeti dhe sekuestroi mes të tjerash pesë armë zjarri, stoli dhe sende të çmuara, disa telefona celularë dhe një shumë prej 35,000 euro.