Ballina Aktualitet Hapet Unaza e Madhe e Tiranës/ Kryebashkiaku: E mbajtëm premtimin, ja se...

Hapet Unaza e Madhe e Tiranës/ Kryebashkiaku: E mbajtëm premtimin, ja se cilat janë zonat që përfitojnë (Foto)

Sot Bashkia e Tiranës  ka hapur segmentin e Unazës së Madhe që lidh zonën e “Pallatit me Shigjeta” me Farkën, duke zgjidhur tashmë përfundimisht problemin  e trafikut të makinave që vijnë nga “Shqiponja” apo Kombinati drejtë qendrës.

Ky ishte një nga premtimet e mbajtura nga kryebashkiaku Veliaj i cili premtoi se ky segment do të përfundonte para fillimit të vitit të ri shkollor 2017-2018.

Veliaj ishte i shoqëruar nga deputeti i PS, Pandeli Majko i cili në mënyrë simbolike hoqi barrierat kufizuese, duke i hapur rrugë qarkullimit të automjeteve në këtë segment tepër të rëndësishëm.

Në fjalën e tij kryebashkiaku ftoi të gjithë qytetarët e kryeqytetit dhe jo vetëm që të zgjedhin këtë rrugë pasi ul në ndjeshëm trafikun që krijohet në qendër.

 

“Jam shumë i lumtur që sot mori fund një agoni shumëvjeçare në Njësinë 5. Dua t’u bëj thirrje të gjithë atyre që vijnë nga zona të tjera të Shqipërisë, që nëse hyjnë nga autostrada e Durrësit në drejtim Elbasanit, Librazhdit, Pogradecit, Korçës, të mos futen më në Tiranë, pasi mjafton të përdorin këtë segment të Unazës së Madhe për të dalë në Farkë e për të vazhduar me autostradën Tiranë-Elbasan. Anasjelltas, kush vjen nga juglindja drejt veriut e këshilloj të mos kalojë nga Rruga e Elbasanit, por të përdorë sërish këtë by-pass për të dalë menjëherë në autostradën tjetër”,

Kryebashkiaku i Tiranës  u shpreh se  ky është një tjetër premtim i mbajtur nga ana e qeverisë shqiptare dhe e Bashkisë së Tiranës.

“Kemi qenë me Pandeli Majkon dhe kryeministrin Rama në këtë vend edhe gjatë fushatës, për të premtuar se përpara fillimit të vitit të ri shkollor do ta mbanim fjalën, do ta hapnim këtë segment të Unazës”, tha ai.

Kryebashkiau Veliaj falenderoi në mënyrë të veçantë autoritetet e pushtetit qendror për përfundimin e këtij projekti, ndërsa shprehu besimin se në mandatin e dytë të qeverisë, Tiranën e presin projekte edhe më të mëdha.

.“Dua të falenderoj shumë të gjithë kolegët e qeverisë qendrore, Ministrisë së Transportit, Agjencisë së Rrugëve. Mezi pres që me qeverinë e re, Tiranës t’i japim akoma më shumë hov për të përfunduar edhe segmentet e tjera të Tiranës. Duhet të pranojmë që një pjesë e madhe e vonesave, e burokracisë, vjen prej faktit që problemet që kemi në shpronësime, me gjykatat, me legalizimet, me njohjen e pronës, janë të gjitha probleme që kjo qeveri ka marrë përsipër që në këtë mandat t’i japë drejtim”, u shpreh Kryetari i Bashkisë.

Policia e Shtetit në bashkëpunim dhe me Policinë Bashkiake do të monitorojnë në mënyrë të vazhdueshme lëvizjen e mjeteve, tha Veliaj ndër të tjera duke theksuar se respektimi i rregullave rrugore është mjaftë i rëndësishëm

“Është një rrugë e cila lidh njerëzit, është një mjet pune. Nuk është një kënd lodrash për të xhiruar gomat apo për të ngritur motorin në rrotë të parë. Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake do të monitorojnë që rruga t’i shërbejë qëllimit për të cilin është krijuar dhe jo qëllimeve të tjera. Ndaj u kërkoj të gjithë qytetarëve të ecin brenda kufirit të lejuar”, tha kreu i Bashkisë. Kemi 4 mbikalime në të gjithë segmentin që përshkon zonën e banuar të Njësisë 5. I ftoj të gjithë qytetarët që të tregojnë qytetari. Për sa kohë që mbikalimi është vetëm pak metra më tej, nuk ia vlen rreziku i kalimit në mes të rrugës, pasi kjo shkakton aksidente të parikuperueshme për jetën e njerëzve, por edhe për cilësinë e kësaj vepre”, deklaroi Veliaj.

LEXO EDHE:  Panairi Dimëror në Grand Place, Bruksel. Erion Veliaj i uron rrugë të mbarë përfaqësuesve shqiptarë

Gjithashtu Veliaj  njoftoi se me nisjen e vitit të ri shkollor në muajin shtator, do të rikthehet edhe rregulli i qarkullimit për automjetet që bëjnë furnizimin e njësive tregtare në kryeqytet.

“I ftoj të gjithë qytetarët që të respektojnë oraret e reja të qarkullimit, duke filluar nga dita e hënë. Deri në orën 9.00, kur të gjithë fëmijët shkojnë në shkollë, nuk do të lejojmë furgonët që shpërndajnë ushqime apo që shpërndajnë mall nëpër qytet. Të sigurohemi që asnjë fëmijë nuk humbet orën e parë prej trafikut që shkaktohet në ditët e para të shkollës, derisa të stabilizohet e trafiku në Tiranë”, nënvizoi ai.

Për Pandeli Majkon hapja e segmentit të ri të Unazës së Madhe përbën një ditë të shënuar.

“Sot jemi në një ditë të shënuar, ditë e shumëpritur nga gjithë komuniteti. Mendoj se është një nga arteriet më të rëndësishme të Tiranës dhe nga pikëpamja e veprave që janë kryer pas zgjedhjeve të fundit të Bashkisë, nuk gaboj të them që pas Bulevardit të Ri, kjo arterie është e dyta më e rëndësishme që Tirana dhe qytetarët e Tiranës do ta gëzojnë. Pres me padurim të shoh makinat e para të cilat do të kalojnë këtej dhe do të jetë një lehtësim shumë i madh edhe për rrugët e tjera”, tha Majko.

Me një gjatësi prej 2.1 km, segmenti Komuna e Parisit-Shkolla Teknologjike është e kategorisë A2 e përshtatur për zona urbane me rrugë kryesore, rrugë paralele dhe e konceptuar si rrugë shpejtësie me 12 hyrje-dalje të disiplinuara. Për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve dhe për të rritur sigurinë e qytetarëve, janë ndërtuar dhe katër mbikalime automjetesh në disnivel, mbikalime këmbësorësh të pajisura dhe me ashensor për PAK, si dhe në të dy senset e lëvizjes janë ndërtuar trotuarë si dhe korsi biçikletash.

Punimet e kryera me standardet më të mira europiane përfshijnë ndërtimin e plotë të sistemit të ujësjellës-kanalizimeve, vendosjen e sinjalistikës vertikale dhe horizontale, instalimin e plotë të ndriçimit rrugor si dhe shtimin e gjelbërimit.