Ballina Kryesore INSTAT publikon shifrat tronditëse: Shqiptarët po “shqepen” me ilaçe

INSTAT publikon shifrat tronditëse: Shqiptarët po “shqepen” me ilaçe

Shqiptarët po denden gjithmonë e më shumë me ilaçe. Edhe pse popullsia e vendit ka ardhur duke u pakësuar, importi i barnave në Shqipëri është rritur me ritme të frikshme.

Të dhënat zyrtare nga Instituti i Statistikave tregojnë se në vetëm një dekadë importet e ilaçëve janë dyfishuar. Sipas INSTAT, nëse në vitin 2008 Shqipëria importonte 93 milionë euro produkte farmaceutike, vitin e kaluar shifra arriti në 195 milionë euro.

Statistikat e INSTAT tregojnë se importi i medikamenteve është rritur me ritme dyshifrore nga viti në vit duke treguar se Shqipëria po sëmuret dhe po shpenzon gjithmonë e më shumë për ilaçe.

Sipas të dhënave në vitin 2008, një shqiptar shpenzoi mesatarisht 37 euro për të blerë ilaçe nga importi. Por, vitin e kaluar importi i ilaçeve për frymë arriti në gati 80 euro.

Ekspertët japin disa arsye se pse konsumi i ilaçeve është rritur me ritme kaq të larta. E para është plakja e popullsisë. Të dhënat zyrtare tregojnë se vetëm në katër vitet e fundit, numri i shqiptarëve mbi 60 vjeç është rritur me 70 mijë vetë nga 490 mijë që ishte në mbi 560 mijë.

Moshat e larta janë dhe konsumatorët kryesore të ilaçeve, pasi shpesh vuajnë nga sëmundjet kronike.

Por plakja e popullsisë nuk është shkaku i vetëm se pse konsumi i barnave është në trend të frikshëm rritje. Një tjetër shkak është rritja e sëmundshmërisë, veçanërisht shtimi i sëmundjeve të zemrës, atyre tumorale dhe sëmundjeve që lidhen me shëndetin mendor.

Ndërkohë, sipas Institutit të Shëndetit Publik një tjetër faktor që ka ndikuar në rritjen e konsumit të ilaçeve është edhe përdorimi pa kriter i tyre, shpesh pa recetë nga mjeku.

LEXO EDHE:  Transportonin çanta me drogë drejt Greqisë, arrestohen 2 shqiptarët

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook