Ballina Dossier Ismail Qemalit planifikonte koncesionin e ndërtimit të një trami elektrik në 1913!...

Ismail Qemalit planifikonte koncesionin e ndërtimit të një trami elektrik në 1913! Projekti italian nga “Përlindja e Shqipniës”

Pavarësisht jetëgjatësisë së shkurtër, mungesës së stabilitetit në periudhën e qeverisjes, kufizimit territorial të kompetencave e pamundësive të tjera, qeveria e parë e shtetit shqiptar të pavarur që kryesohej nga Ismail Qemali do të bënte disa përpjekje për zhvillimin e vendit.

E në këtë kuadër, veç koncesionit për krijimin e Bankës së Shtetit, kjo qeveri do të planifikonte edhe një koncesion tjetër; ndërtimin e një trami elektrik që do të përshkonte qytetin e Vlorës duke ofruar shërbime për transport udhëtarësh dhe mallrash.

Thirrjes së parë të publikuar në gazetën “Përlindja e Shqipniës” së në numrin 5 të saj në vitin 1913 do t’i përgjigjej një kompani italiane e cila do të jepte edhe propozimet e saj të cilat gjithashtu do të publikoheshin në këtë gazetë.

Midis veprave të tjerë që po pregatiten në minister të punëve botore, asht edhe puna e tramit të Vlonës. Qeveria e Pertashme vendosi t’ a stolisë Vlonën me një tram elektrik. Vjia e tramit do t’a lidhë qytetin me skelën e këtë me cesmiën e Ferrit, ku, pa dyshim, do të ndërtohet Vlona e re” shkruhet në artikull.

Në disa numra të saj, gazeta do të publikonte detajet e projektit që parashikonte që trami të funksiononte përmes një kablloje të jashtme elektrike.

Duhet evidentuar fakti se në atë periudhë energjia elektrike ishte një “luks” për Shqipërinë pasi nuk ishte zhvilluar akoma ideja e prodhimit të saj përmes burimeve hidrike të pasura që zotëronte vendi por përmes centralëve që kishin motorë elektrike. I vetmi hap i ndërmarrë në këtë drejtim ishte një leje që qeveria e Vlorës i kishte dhënë dy inxhinierëve elektrikë nga Budapesti Reinold Kuoll dhe Mihal Seideur për të studiuar Devollin në emër të kompanisë  “Ganz”. Në fakt, për ekzistencën e një centrali për prodhimin e energjisë elektrike dokumentohet nga ushtria italiane pas 1915.

Tarifat që parashikonte projekti italian

Gjithsesi, projekti i publikuar në gazetë parashikonte që trami të kishte një numër të konsiderueshëm vagonësh, një pjesë e të cilëve do të përdoreshin për transport pasagjerësh e pjesa tjetër për transport mallrash.

Tarifat për transport pasagjerësh parashikohej të varionin nga 0.20 deri në 0.30 grosh.  Ministrat, zëvëndësministrat, anëtarët e Pleqësisë dhe kryeministri e presidenti do të udhëtonin falas.

E sa i përket mallrave, tarifat për baulet ishin planifikuar 0.20 grosh ndërsa për çdo kuintal mallra, tarifat varionin nga 1 deri në 1.20 grosh. Po ashtu ofrohej dhe shërbim nëpër shtëpi për të marrë dhe dërguar sende.

Kushtet e koncesionit

Referuar artikullit të gazetës, koncesioni kërkohej me kushtet e mëposhtme. Hapja dhe rregullimi i trasesë së tramit do të bëhej nga koncesionari, nën kontrollin e qeverisë. Puna planifikohej të niste 4 javë pas miratimit të koncesionit e do të përfundonte brenda 7 muajve. Qeveria do të amortizonte prishjet e ndërtimit të tramit për 36 vite në shumën prej 300 mijë liretash italiane dhe nga ana tjetër do të merrte 30 % të fitimit nga ky aktivitet.

Në fund të publikimit, gazeta ftonte të gjithë të interesuarit për një vepër të tillë që të japin propozime të tjera në ministrinë e Punëve Publike, që nëse do të jepnin një ofertë tjertër me kushte më të favorshme për qeverinë shqiptare, mund të shpalleshin fitues.

Një detaj që i mungon 5 thirrjeve publike të bërë në gazetë është emri i kompanisë që propozonte një projekt të tillë. Ndërkohë, pas publikimit të thirrjes publike disa herë, gazeta nuk jep më të dhëna për këtë projekt e as nuk publikon ecurinë e tij./scan

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook