Ballina Kryesore Kërkesa e Bashës për Prokurorinë: Të arrestohet Ardi Veliu, t’i hiqet imuniteti...

Kërkesa e Bashës për Prokurorinë: Të arrestohet Ardi Veliu, t’i hiqet imuniteti Taulant Ballës

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, apeloi prokurorinë të presë fletë-arrestet për drejtorin e Policisë së Shtetit Ardi Veliun dhe drejtorin e policisë së Fierit.

“Ju bëj thirrje burrave dhe grave në prokurori që në zbatim të ligjit dhe në kundërshtim të urdhrave kriminalë dhe të paligjshëm të nxjerrin menjëherë fletë-arrestet për Ardi Veliun dhe Drejtorin e policisë së Fierit”, deklaroi Basha.

Basha gjithashtu kërkoi nisjen menjëherë dhe pa humbur kohë të procedurës së heqjes së imunitetit dhe marrjes si të pandehur të Taulant Ballës, si dhe nisjen e hetimit për pengim të drejtësisë ndaj Edi Ramës, Fatmir Xhafaj dhe Donika Prelës.

“Provat për inkriminimin Taulant Ballës dhe Ardi Veliut për të krijuar dhe paguar një dëshmitar të rremë me qëllim mbrojtjen e trafikantit të drogës Agron Xhafa, vëllait të Ministrit të Brendshëm janë të pakundërshtueshme”, tha Basha.

Kryetari i PD-së nuk kurseu dhe një paralajmërim për dyshen Marku-Prela.

“Deri tani nuk ka filluar ende asnjë hetim për Taulant Ballën, Ardi Veliun, drejtorin e policisë së Fierit. Manipulimi i hetimeve dhe mos hetimi i krimeve nga prokuroria janë krime të rënda për të cilat dyshja Marku-Prela dhe shërbëtorë të saj në prokurori do të mbajnë përgjegjësi.

Shërbimi i verbër ndaj Edi Ramës është shërbim ndaj krimit dhe për këtë do të mbajë përgjegjësi çdo polic, çdo prokuror, çdo punonjës i shtetit. Ata që mendojnë se mund të bëjnë krime se do ti mbrojë Edi Rama e kanë gabim. Pushteti i Edi Ramës ka marrë fund, rrëzimin e këtij pushteti nuk e ndal dot më asgjë”, shtoi Basha.