Ballina Bota Kina nuk do të jetë më “plehra e botës”, shtetet e pasura...

Kina nuk do të jetë më “plehra e botës”, shtetet e pasura i zë paniku: Nuk dimë se ku të hedhim mbetjet plastike!

Bota nuk e di se ku t’i hedhë mbeturinat e saj. Që nga janari, Kina ka ndaluar importimin e 24 kategorive të mbeturinave të ngurta, duke përfshirë plastikën, letrën dhe tekstilet.

Për të justifikuar këtë zgjedhje, gjiganti aziatik jep arsye ekologjike. “Ne kemi konstatuar sasi të mëdha mbeturinash me cilësi të dobët, madje edhe mbetje të rrezikshme, që janë të përziera me mbetje të ngurta. (…) Kjo gjë ndot seriozisht mjedisin në Kinë”, tha Ministria e Mjedisit në një njoftim për Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) korrikun e kaluar. Pekini dëshiron të përmirësojë cilësinë e mbetjeve që hyjnë në Kinë dhe të favorizojë ato që janë të seleksionuara mirë dhe të kushtëzuara.

Por ky vendim, i destinacionit kryesor të riciklimit në botë, krijoi një rrëmujë. Bashkimi Europian (BE) eksporton gjysmën e plastikës së mbledhur dhe të përzgjedhur, nga të cilat 85% shkon në Kinë. “Është një tërmet” dhe “e ndiejmë ende valën e shokut. Kjo gjë ka vënë nën stres industrinë tonë, sepse Kina është thjesht tregu më i madh në botë për eksportin e materialeve të riciklueshme”, thotë me keqardhje Arnaud Brunet, drejtor i Byrosë Ndërkombëtare të Riciklimit me seli në Bruksel (BIR).

“Do të kërkojmë zgjidhje alternative, do të përpiqemi të identifikojmë tregje të reja zëvendësimi, duke supozuar se kanë aftësi përpunimi: flasim për Indinë, Pakistanin apo Kamboxhian”, thotë Arnaud Brunet.

LEXO EDHE:  VIDEO/ Çiklisti hap çantën e dyshimtë në mes të rrugës, shihni çfarë i bëjnë forcat speciale të policisë

Menjëherë, ndikimi do të jetë shkatërrues
Edhe në Shtetet e Bashkuara, vendimi i Pekinit ka pasoja serioze. Në vitin 2016, vendi dërgoi më shumë se gjysmën e eksporteve të mbetjeve të metaleve që nuk përmbajnë hekur, letër dhe mbetje plastike në Kinë, apo 16.2 milionë tonë. Në Shtetet e Bashkuara, fabrikat po kërkojnë mënyra sesi të “magazinojnë” mbeturinat e tyre tashmë të mbetura dhe “disa po i magazinojnë ato në parqet e makinave ose në vende të hapura”, thotë Brandon Wright, zëdhënësi i NWRA, Federatës Amerikane të Mbeturinave dhe Riciklimit.

Menjëherë, ndikimi do të jetë shkatërrues: sipas parashikimeve të “kujdesshme” të BIR, eksportet botërore të letrës drejt Kinës mund të reduktohen me një të katërtën në periudhën 2016-2018, dhe plastika do të shkatërrohet me 80% për dy vjet, duke kaluar nga 7.35 në 1.5 milionë tonë.

Vendimi i Pekinit për ndalim, ngre një problem të madh për shoqëritë kineze të riciklimit, të cilat janë tepër të varura nga mbetjet oksidentale. Kjo do të sjellë vështirësi në punë, pranon Zhang Jinglian, pronar i një kompanie për përpunimin e mbetjeve plastike, kompani të tjera kineze mendojnë të ndalojnë aktivitetin e tyre. Por, vendimi i Kinës mund edhe të forcojë filialet e ripërpunimit. /Monitor

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook