Ballina Aktualitet Krimi në Shkodër, Artan Hoxha: Vrasja që prishi ekuilibrat e bandave (Detajet)

Krimi në Shkodër, Artan Hoxha: Vrasja që prishi ekuilibrat e bandave (Detajet)

Gazetari investigativ, Artan Hoxha, i ftuar mbrëmë në emisionin Opinion ka rrëfyer detaje të reja në lidhje me vrasjen e Boran Bërçanës dhe bashkëjetuesen e tij Silvana Ndoci me 15 korrik në qytetin e Shkodrës.

Hoxha tha se vrasja e Bërçanës ka prishur ekulibrat në qytetin verior, pasi dihet shumë mire se për dekada të tëra, Shkodra është kontrolluar nga bandat kriminale, të cilat një pjesë e tyre kanë dhe struktura fisnore.

Sipas tij, është vrarë një person që ka lidhje të forta farefisnore, duke shënuar kështu një ngjarje tepër të rëndë për ekulibrat mes grupeve kriminale në qytet.

Në videon e publikuar në media tregohet se si vrasësit i janë dashur vetëm 7 sekonda për të ekzekutuar çiftin në prezencë të fëmijës së tyre brenda në makinë.

Në video duket qartë që autori është një dhe i vetëm.

Ai afrohet qetësisht, armën e mban të ulur në fillim dhe qëllon me dorën e majtë në anën e Bërçanës. Ish-polici ka tentuar të lëvizë makinën por goditja ka qenë e menjëhershme.

Në video mund të dallohet se autori ka qëlluar me dorën e majtë, një specifikë që dallon disa nga vrasësit profesionistë në vendin tonë.