Ballina Kryesore Kudo mjerin, shqiptarëve iu duhet më shumë se gjysma e të ardhurave...

Kudo mjerin, shqiptarëve iu duhet më shumë se gjysma e të ardhurave për t’u ushqyer

Në krahasim me një familje europiane, frigoriferi i një familje shqiptare do të dukej bosh shpenzimet për ushqime zënë rreth 44.1% të totalit të shpenzimeve.

Pesha që shqiptarët shpenzojnë për ushqime është thuajse sa gjysma e totalit të shpenzimeve që ai kryen, apo rreth 4 herë më shumë se mesatarja e Bashkimit Europian.

Sipas të dhënave të Eurostat, pesha që zënë shpenzimet për ushqime në totalin e shpenzimeve të familjeve është 11.1%.

Në Bashkimin Europian, vendet me peshën më të lartë të shpenzimeve për ushqime ishin vendet e Europës Lindore dhe Qendrore.

Ndër vendet e Bashkimit Europian peshën më të lartë e kishte Rumania me 26.4% të totalit, e ndjekur nga Letonia me 20% dhe Estonia me 18.7%.

Në Greqi shpenzimet të familjeve për ushqime llogariten sa 16.1% e totalit. Vendet me peshën më të ulët në Europë për shpenzimet për ushqime janë Gjermania me 9.4%, Austria me 8.8%, Irlanda me 8.3%, Luksemburgu me 7.8% dhe Mbretëria e Bashkuar me 7.2%.

Në vendet me të ardhura të ulëta shpenzimet për ushqime zënë peshën më të madhe ndaj totalit të shpenzimeve të familjeve si shenjë e varfërisë.

Gjithashtu, të dhënat krahasuese të Eurostat tregojnë se Shqipëria është vendi me konsumin më të lartë të bukës dhe drithërat në Europë.

Sipas tabelave të publikuara nga Instituti Europian i Statistikave (Eurostat), shpenzimet nominale për bukë dhe drithëra, si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP) ishin 4.9%, më të lartat në Europë.

Shteti i dytë pas nesh është Mali i Zi, me 3.9% të GDP-së si shpenzime për bukë dhe drithëra, i ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina me 3.3% dhe Maqedonia me 2.9%. Listën e vijon sërish një vend i Ballkanit Perëndimor, Serbia, me 2.7% (të dhënat për Kosovën mungojnë).

LEXO EDHE:  Humbi në zgjedhje, Gjergj Bojaxhi jep dorëheqjen si kryetari i Sfidës

Edhe Greqia, ndonëse një vend në Bashkimin Europian, shpenzon 2.7% të GDP-së për bukë dhe drithëra.

Mesatarja e vendeve kandidate dhe potenciale kandidate (përjashtuar Turqinë dhe Kosovën) është 3.3% e GDP-së, shumë më e lartë se mesatarja prej 1.1% e 28 vendeve të Bashkimit Europian.

Të dhënat e Eurostat tregojnë se jo vetëm shqiptarët shpenzojnë më shumë për të siguruar këtë nevojë bazë jetike, por kjo përqindje është më e lartë se 10 vjet më parë.

Në 2007-n, viti më i hershëm kur i raporton të dhënat INSTAT, kjo përqindje ishte 4.4, ndërsa në 2016-n u shënua niveli maksimal prej 4.9% e PBB-së (të dhënat e Eurostat janë përditësuar në qershor 2017).

Në vlerë absolute, shpenzimet mesatare për banor për bukë e drithëra janë 183 euro në vit, më të lartat në rajon.

Vendet e zhvilluara shpenzojnë më shumë për frymë për këtë produkt, pasi është më i shtrenjtë, por për shkak të të ardhurave të larta, ai nuk rëndon në xhepat e tyre. /Monitor