Ballina Kryesore Mbyllja e transmetimeve analoge/ Nuk iu kap ende sinjal televizori? Ja numrat...

Mbyllja e transmetimeve analoge/ Nuk iu kap ende sinjal televizori? Ja numrat ku të kërkoni asistencë

Të hënën, kryetari i Autoritetit të Medias Audiovizive, Gentian Sala, zhvilloi një bashkëbisedim me gazetarët, ku në fokus ishte mbyllja e transmetimeve analoge audiovizive për qarqet e Tiranës dhe Durrësit.

Ai ka vlerësuar maksimalisht procesin, pasi në këto dy qarqe, ku banojnë rreth 1/3 e popullatës së Shqipërisë, tashmë ndjekësit e programeve televizive do t’i arrijnë ato vetëm në mënyrë digjitale.

Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve të pranishëm, nga mediat kombëtare dhe ato lokale e rajonale, Sala evidentoi faktin se nga mbyllja e transmetimeve analoge nga subjektet audiovizive në këto dy qarqe, u arrit dhe eliminimi i rasteve të transmetimeve dixhitale të palicencuara, si dhe mori zgjidhje përfundimtare çështja e renditjes së kanaleve, sipas përcaktimeve ligjore që ka bërë AMA.

Duke kujtuar angazhimin e AMA-s prej rreth 1 vit e gjysmë në një fushatë ndërgjegjësimi dhe informimi për publikun e gjerë, kryetari i Autoritetit u shpreh i bindur se ndonjë problematikë a paqartësi për një numër të limituar qytetarësh do të zgjidhet, për sigurimin sa më shpejt të dekoderit për rastet kur ata nuk e kanë siguruar ende.

Sala përmendi se janë rreth 88 mijë persona, që si pjesë e skemave të ndihmës ekonomike nga buxheti i shtetit e kanë përfituar dekoderin falas.

Ai gjeti rast të falenderojë të gjithë operatorët televizivë që më 10 shtator 2018 u treguan bashkëpunues në këtë proces jetik për tregun e transmetimeve audiovizive. Sala shprehu mirënjohje për durimin e qytetarëve, duke shtuar se tashmë jo vetëm që do të jenë ndjekës të transmetimit më cilësor të sinjalit, por dhe me ofertë të shtuar të kanaleve programore. Në përfundimin të procesit qytetarët kanë mundësi të ndjekin 34 kanale pa pagesë nga paketat programore publike dhe private që janë në transmetim.

LEXO EDHE:  Akuzat ndaj deputetit të PS për tjetërsim pronash në Dhërmi, Noka: Edi Rama hesht, Prokuroria nuk vepron

Dy numrat e njohur telefonikë kujdestarë të AMA-s, 04 410 44 55 dhe 04 410 44 56, do të vijojnë të jenë në shërbim të qytetarëve për t’i informuar dhe orientuar ata në realitetin e ri të transmetimeve televizive digjitale tokësore në qarqet e Tiranës dhe të Durrësit, tha gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, kryetari i AMA-s, Gentian Sala.