Ballina Kryesore “Mish i pjekur dhe raki”, deputeti: Ja çfarë ndodh në shkollat shqiptare...

“Mish i pjekur dhe raki”, deputeti: Ja çfarë ndodh në shkollat shqiptare (FOTO)

Deputeti i PD, Luçiano Boçi ka denoncuar Ministrinë e Arsimit për gjendjen e shkollave në Shqipëri.

Ai ka publikuar disa foto në Facebook nga shkolla 9-vjeçare Zhepë në Skrapar, teksa shfaqen nxënësit duke ngrënë mish e bërë dolli brenda ambienteve të shkollës.

Sipas Boçit këto pamje tregojnë se institucionet arsimore janë degraduar jo vetëm fizikisht, por dhe moralisht në pjesën dërmuese të tyre.

“Jemi në epokën e klasave digjitale pra, të Ramës e Linditës, “ku vlon mishi e rakia, tym e flakë të bëhet dija”, thotë ndër të tjera Boci.

Statusi i plotë:

SHKOLLA KU MISHI PIQET E … MINISTRIA NUK DIGJET

Deri më tani Ministrinë e Arsimit dhe drejtuesen e kam quajtur të paaftë dhe të papërgjegjshme.

Me sa duket qenkam gabuar!?😜

Fotot e mëposhtme të bëra në shkollën 9 vjeçare Zhepë, Skrapar ma “ndryshuan” tërësisht opinionin.

Ministria duket hapur këtu që është “gjeniale” dhe shumë “serioze”.
Shpikjet e saj nuk shterojnë asnjëherë.
“Mësojmë me hell në dorë” quhet kjo nisma më e re e Ministrisë, e cila shoqërohet me iniciativën e Qeverisë: “Ndalohet alkooli jashtë shkollave… e lejohet brenda”.

Jemi në epokën e klasave digjitale pra, të Ramës e Linditës, “ku vlon mishi e rakia, tym e flakë të bëhet dija”.

Faktet ulërasin!
E nuk janë të vetmet.

Rrëfejnë saktë se si institucionet tona arsimore janë degraduar tashmë jo vetëm fizikisht, por dhe moralisht në pjesën dërmuese të tyre.

Tani në shkollat tona “të gjeneratës së re”, ndodh gjithçka.

Aty dhe shpërndahet “mall”, siç tregojnë shumë denoncime të nxënësve e prindërve, bëhen dhe mbledhje partie, por dhe njëkohësisht hahet e pihet qelepir e bëhet aheng për shtatë palë qejfe.

Shkolla së fundmi është dhe gjelltore dhe thertore dhe han me katër porta, ku vetëm mësim e edukim nuk ndodh të bëhet, ose rrallë bëhet.

LEXO EDHE:  Largimi i Bashës nga PD në rast humbjesh në zgjedhje? Flet Boçi: Rama nuk rrëzohet duke gjuajtur nga frëngjitë e Facebook-ut

Kjo është pamja reale e arsimit përtej fjalëve të stisura të Ramës e Linditës.
Rroftë Rilindja e … hellit në Arsim!