Ballina Kryesore Paralajmëron Ngjela: Tahiri nisi betejën, ju tregoj tre politikanët që do belbëzojnë...

Paralajmëron Ngjela: Tahiri nisi betejën, ju tregoj tre politikanët që do belbëzojnë nga halli

Pas dorëzimit të mandatit të deputetit të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, ka ardhur edhe reagimi i avokatit Spartak Ngjela.

Përmes një statusi në “Facebook”, Ngjela theksoi se qëndrimi i Tahirit tregon shenjën e parë të ngritjes së intensitetit të betejës anti-korrupsion në Shqipëri.

Avokati shton më tej se ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri teksa vendosi të hyjë në betejë me drejtësinë, Rama, Berisha dhe Meta do të jenë në hall, dhe sipas tij do të belbëzojnë. 

Reagimi i Ngjelës
Jezu Krishti iu tha priftërinjve të tempullit të Jeruzalemit se “ju e keni kthyer shtëpinë e zotit në një çedhe hajdutësh”.
Ja, edhe këtu në Shqipëri, ka mbi njëzet vjet që këta të korruptuar kryeministra e kanë kthyer shtetin shqiptar në një çerdhe hajdutësh?
Po a do të ndëshkohen të gjithë të korruptuarit?
Pa asnjë lloj diskutimi që do të ndëshkohen të gjithë.
Dorëheqja e sotme e Saimir Tahiri duke dorëzuar mandatin e deputetit, dhe pranimi i përballjes së tij pa asnjë pengesë imunitare me akuzën, ka tepër gjasë që ta shpejtojë gjendjen anti-korrupsion për të shkuar realisht drejt shkallmimit nominal të korrupsionit të lartë shtetëror.
Do të ketë tronditje në të dy krahët e politikës shqiptare. Madje duhen pritur dhe qëndrime nga Uashingtoni dhe nga Berlini; kurse po sot menjëherë pas dorëheqjes së Tahiri, deputeti i Parlamentit Gjerman, Hahn, anulloi vizitën në Tiranë.
Po Rama, po Berisha, po Meta?
l.
Shqipëria sot është një shtet i korruptuar dhe i pamoralshëm. Po kur ka filluar kjo histori, dhe a kanë pasur ndonjëherë shqiptarët një shtet të drejtë? Jo, asnjëherë nuk kanë pasur shqiptarët një shtet të drejtë, sepse shqiptarët janë sunduar nga qeveritë e tyre në një mënyrë banditeske.
Historia politike e çdo shteti është historia e gjatë e pushtetit politik. Kjo fillon që nga koha e formimit të shtetit modern.
Po të qëndrojmë pak e ta shohim me vëmendje historinë politike të Shqipërisë, do gjejmë një shëmtim të gjatë që ka shpërfillur edhe interesin kombëtar, por edhe dinjitetin e shqiptarëve. Gjithçka është bërë për vete, por nën garancinë e të huajve që kanë dhënë mbështetjen e korrupsionit shqiptar, ose me ushtarë, ose me para.
Pas Luftës së Dytë Botërore, si pasojë e interesit personal të Enver Hoxhës, Shqipëria dhe shqipëtarët humbën shansin e madh të Planit Marshall, pësuan gjëmën e ekzekutimit të të gjithë intelektualizmit të lartë shqiptar, deri në vitin 1947, dhe, po për interesin makabër të sundimit Hoxha, me dhunë u izoluan me qëllimin banditesk të Enver Hoxhës për të krijuar në Shqipëri një frymë popullore antiamerikane dhe anti-Perëndim.
E gjithë kjo lëvizje e dhunshme ishte terrori më i madh shtetëror që është parë ndonjëherë në një shtet Europian.

Mbijetesa e shqiptarëve pas terrorit Hoxha ka qënë një mrekulli të cilën koha që vjen do ta provojë shkencërisht, sipas biogjisë molekulare, se ka ardhë si pasojë e dy faktorëve: fortësisë solide të genit arbëror, dhe gjuhës shqipe.
Gjithsesi, pas rrëzimit të komunizmit hoxhist në vitin 1991, shqiptarët kaluan nga mbijetesa në një liri çliruese, por jo sërish në një shtet të drejtë. Tani shteti shqiptar kaloi nga terrori hoxhian, në korrupsion, kurse qeveritë që pasuan kaluan sistematikisht në një bllokim real të drejtësisë duke implementuar me paramendim një pushtet gjyqësor të korruptuar.
ll.
Pas njëzetepesë vjetësh, në vitin 2017, shqiptarët, me ndihmën direkte të politikës amerikane, filluan implementimin ligjor të Reformës në Drejtësi. E dhunshme ishte mbrojtja e korrupsionit të lartë shtetëror nga individët e inkriminuar: ish ministra e kryeministra, prokurorë e gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, deputetë dhe banditë, të gjithë bashkë, por që u shkatërruan ligsht nga forca e politikës amerikane.
Shqiptarët do ti jenë gjithmonë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shpëtimin që i kanë bërë shqiptarëve në të gjitha luftrat e Shekullit të Njëzet, por sidomos për shpëtimin nga rreziku u madh i shpërbërjes së tyre si shtet, nga intriga, keqdashja edhe aktiviteti i ethshëm i klasës së sotme të korruptuar shqiptare që kishte si synim ruajtjen e pasurisë të grabitur me korrupsion, duke shpërbërë Shqipërinë, me dëbimin e shqiptarëve nga tokat shqiptare me anë të varfërisë të tejskajshme të imponuar poitikisht prej korrupsionit qeveritar shqiptar.
Reforma në Drejtësi ka qenë e vetmja zgjidhje. Por, qëkurse ka filluar unë kam qenë i bindur për suksesin e saj dhe për shpëtimin e shqiptarëve.
Sot gjithçka është e përfunduar në strukturë, dhe SPAK- u e gjithë pushteti gjyqësor që pritet të likuidohet në 60 përqind, janë në rrugën e tyre të nisjes së betejës së madhe legale kundër korrupsionit dhe krimit shtetëror në Shqipëri.
Dorëheqja e Saimir Tahiri është shenja e parë e ngritjes së intensitetit të betejës antikorrupsion në Shqipëri. Kjo ishte e vetmja rrugë për Tahirin. Pafajësia nuk dhurohet, ajo fitohet në betejë legale.
Por sigurisht që për faktin që Tahiri vendosi të hyjë në betejë, të tre të tjerët: Rama, Berisha dhe Meta do të jenë në hall, dhe do të belbëzojnë.
Por për të tre ngrihet tani pyetja hamletiane: të dorëzohen apo të vijoj betejën për mbrojtjen e korrupsionit qeveritar?
Po çdo të mbroni ju mor fakirë që po jeni të fundit që po e kuptoni se nuk keni shpëtim!
Koha e vuajtjes shqiptare tani ka mbërritur në fundin e saj. Asnjë forcë nuk mund ta ndalojë dot më ecjen përpara të vendosjes së moralitetit dhe drejtësisë në Shqipëri. Korrupsion i kryeministror shqiptar duhet të shpallë falimentim e të dorëzohet. Sa më shpejt, aq më mirë do të jetë për të. Bredhja e këtyre nga Moska në Beograd, në Stamboll e në Shkup te Gruevski, ka qënë një kotësi e intelektit të tyre fëminor. Tani koha po i braktis. Por a do të dinë të mbrohen? Shenjat tregojnë se, jo.
Gjithsesi, banditizmi i qeverisjes njëqind vjeçare, tani është duke u rrëzuar në rënie të lirë.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook