Ballina Dossier VIDEO/ Përktheu mjeshtërisht në shqip dhjetëra kryevepra botërore, përkujtohet 100-vjetori i lindjes...

VIDEO/ Përktheu mjeshtërisht në shqip dhjetëra kryevepra botërore, përkujtohet 100-vjetori i lindjes së Halit Selfos

Me rastin e 100-vjetorit të lindjes së mjeshtrit të gjuhës dhe përkthimit, Halit Selfo, është organizuar një ceremoni përkujtimore.

Eventi u organizua nga shtëpia botuese “Zenit Editions”, e cila ka sjell në shqip kryeveprat botërore të përkthyera nga Selfo.

Aktiviteti përkujtimor u zhvillua në mbrëmjen e 2 majit, në galerinë “Zenit Art”, në kryeqytet, ku të pranishëm kanë qenë kritikë dhe studjues të njohur të artit shqiptar, por jo vetëm.

“DuaLajm.com” sjell pamje nga ceremonia përkujtimore, ku kanë folur familjarët e tij dhe personalitetet e njohura të artit dhe kritikës që ishin të pranishëm në event, ku ndër ta mund të përmendim historianin dhe profesorin e nderuar, z.Moikom Zeqo.

Të pranishmit në event shprehën vlerësimet e tyre për punën dhe kontributin e çmuar të Halit Selfos në kulturën dhe letërsinë shqipe.

Shtëpia botuese “Zenit Editions”, ka sjellë në shqip 4 kryeveprat botërore e përkthyera mjeshtërisht nga përkthyesi i mirënjohur, Halit Selfo, të cilat janë: “Rreth botës për 80 ditë” nga Zhyl Vern, “Djemtë e Rrugës Pal” nga Florenc Molnar, “Udhëtimet e Guliverit” nga Jonathan Swift dhe “Robinson Kruzo” nga Daniel Defoe.

Por kush ishte Halit Selfo 
U lind më 2 Maj 1920 në një familje tregtare me tradita kulturore e atdhetare në qytetin e Gjirokastrës. Mësimet e para i mori në vendlindje, më pas vijoi Liceun Francez në qytetin e Korçës.

Studimet e larta i kreu në Padova të Italisë në Universitetin Ekonomi-Biznes. Në vitet e para të çlirimit të vendit, u emërua redaktor në gazetën ushtarake “Luftëtari”.

Qysh në rininë e tij u mor me përkthime nga letërsia artistike botërore. Halit Selfo si një nga mjeshtrat e përkthimit, krahas përkthyesve të mirënjohur Skënder Luarasi, Lasgush Poradeci, Sotir Caci, Vedat Kokona, Spiro Çomora etj, ka dhënë një kontribut të shquar në krijimin e shkollës së përkthimit shqip.

LEXO EDHE:  Strehuan diktatorin gjatë luftës Nacional-Çlirimtare, si u tradhëtua nga Enver Hoxha familja e mirënjohur Selfo

Për vlerat e tij të rralla, ai u emërua redaktor në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, ku me punën e tij tërë përkushtim u cilësua “Përkthyes i talentuar i letërsisë botërore”, duke zotëruar gjuhët frëngjisht, anglisht, rusisht e italisht.

U emërua në ndërmarjen e botimve “Naim Frashëri” si punonjës i përhershëm, gjithashtu u bë dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

Emrin e Halit Selfos, lexuesi shqiptar e ka njohur edhe më mirë në përkthimin e më shumë se 50 veprave letrare, midis të cilave: “Konti i Monte Kristos” (Alexandre Dumas); “Djemtë e rrugës Pal” – F. Molnar; “Poemë Pedagogjike” – Makarenko; “Zemra”- De Amicis; “Bijtë e kapitenit Grant” – Zhyl Vern; e mjaft romane të tjera në seri të Zhyl Vernit.

Falë këtyre veprave, ai kontribuoi në ngritjen e cilësisë së përkthimeve tona. Ky punëtor i fjalës shqipe krijoi një pasuri të vyer të kulturës së përkthimit, e cila përbën një fond të artë në bibliotekën shqiptare.

Ndonëse në kushte tejet të vështira familjare prej ndëshkimeve, me pushkatim, burgosje e internim dhe vdekjen në moshë ende të re për të vijuar kontributin e tij, Halit Selfo përfaqëson një arritje madhore në cilësinë e përkthimit në një gjuhë si e jona, e për rrjedhim një rol të madh në zhvillimin, mbrojtjen dhe pasurimin e saj.

Selfo u nda nga jeta në mënyrë të parakohshme në 14 gusht 1964, kur ishte në moshën 46-vjeçare.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook