Ballina Kryesore Prezantohet projekti i veçantë “Shtëpia e Shqiptarit” në Kanada, i pranishëm edhe...

Prezantohet projekti i veçantë “Shtëpia e Shqiptarit” në Kanada, i pranishëm edhe ministri Majko

Ministri i Shtetit për Diasporën, z.Pandeli Majko ka zhvilluar një takim të veçantë në Kanada me Shoqatën e Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze të Torontos (SHBSHK), si dhe me grupin e punës të po kësaj shoqate për ngritjen e projektit “Shtëpia e Shqiptarit”.

Takimi u zhvillua në mbrëmjen e 7 marsit, në zyrën e shoqatës në Ontario, ku të pranishëm ishin bordi drejtues i SHBSHK, ku mund të përmendim në mënyrë të veçantë, znj.Ruki Kondaj, z.Ramazan Këllezi, z.Ilir Lena, z.Julian Dyrmishi, Dr.Alban Merepeza si dhe biznesmenë të suksesshëm shqiptarë që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Kanada.

Gjithashtu të pranishëm në takim ishin ministri i qeverisë së Kosovës për Diasporën, z.Dardan Gashi, dhe Ministri I qeverise se Shqiperise per Diasporen  se z.Pandeli Majko si dhe ambasadorët përkatës, ai shqiptar në Kanada, z.Ermal Muça si dhe përfaqësuesi kosovar në Kanada, z.Lulzim Iseni.

Presidenti aktual i shoqatës, z.Ramazan Këllezi bëri një paraqitje të përmbledhur të  veprimtarisë së shoqatës SHBSHK ndër vite, duke u shprehur se kjo organizatë me përvojë 28-vjeçare, i ka bërë jehonë zërit të shqiptarëve në Kanada.

Tema kryesore e këtij takimi ishte “Shtëpia e Shqiptarit” (SHESH), një projekt i rëndësishëm që do t’i dedikohet aktiviteteve kulturore dhe mësimit të gjuhës shqipe në Kanada.

Në lidhje me qëllimin e projektit foli Dr.Alban Merepeza, i cili është kryetari i grupit të SHESH. Në fjalën e tij, z.Merepeza i njohu ministrat me hapat e ndërmarrë deri më tani për projektin. Kryetari i SHESH i kërkoi përfaqësuesve të shteteve mbështetje financiare.

Z.Merepeza është doktor i Kombëtares Shqiptare në Lojërat Olimpike. Kariera e tij në fushën e mjeksisë sportive ka njohur vetëm rritje 10-vjeçarin e fundit. Doktori i shquar shqiptar në Kanada ka hapur edhe një klinikë luksoze mjekësore.

Presidentja e nderit të SHBSHK, njëkohësisht edhe kryetare e grupit të Trashëgimisë, Dr..Ruki Kondaj, e njohur si “Zonja e Hekurt”, në fjalën e saj, shpalosi përpara ministrave një tablo të gjerë të të gjithë punës lobuese deri në miratimin e Ligjit të Trashëgimisë Shqiptare në Ontario, proces i cili është drejtuar prej saj, nga fillimi deri në fund.

LEXO EDHE:  Momenti dramatik kur çiklisti goditet nga një makinë, biçikleta e tij fluturon disa metra në ajër (VIDEO)

Dr. Ruki Kondaj është një nga historitë e suksesit shqiptar përtej oqeanit. E vendosur në Kanada që prej vitit 2000, nëpërmjet shoqatës së Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze ajo ka bërë një punë të madhe për promovimin e kulturës shqiptare në Kanada.

Dy ministrat, z.Majko dhe z.Gashi vlerësuan me nota pozitive projektin “Shtëpia e Shqiptarit”, duke shprehur mirënjohje për punën e shoqatës SHBSHK.

Z.Majko gjithashtu kërkoi më shumë hollësira për projektin, duke premtuar se do ta ndjekë atë personalisht.

Kërkesa me shkrim për mbështetje financiare, ku renditen arsyet pse qeveria shqiptare dhe ajo kosovare duhet të mbështesin projektin SHESH, iu dorëzua z. Majko dhe z. Gashi në formën e dy letrave drejtuar Kryeministrave përkatës, z. Rama dhe z. Haradinaj.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook