Ballina Ekonomi Publikohen shifrat alarmante, më shumë se 30% e punonjësve marrin pagë minimale

Publikohen shifrat alarmante, më shumë se 30% e punonjësve marrin pagë minimale

Një pjesë e madhe e shqiptarëve jetojnë në varfëri, edhe pse janë në punë. Kjo për shkak të rrogave minimale që marrin.

Instituti i Statistikave raportoi se një në tre të punësuar në Shqipëri paguhet me pagë minimale, vetëm 24 mijë lekë në muaj.

“Gjatë vitit 2017, 29,6 % e kontribuuesve në kategorinë e të punësuarve me pagë marrin një pagë mesatare mujore bruto deri në nivelin e pagës minimale zyrtare.

Për vitin 2017, paga minimale zyrtare është 24.000 lekë,” raporton INSTAT në Anketën e Forcave të Punës.

Kjo do të thotë se mbi 160 mijë të punësuar në Shqipëri, paguhen me një rrogë prej 24 mijë lekë në muaj, çka nuk u mjafton as për të përballuar nevojat më jetike.

Të dhënat zyrtare tregojnë se në Shqipëri ka mbi 1 milionë e 195 mijë të punësuar. Por nga këta 55.9 për qind janë të punësuar pa pagë, pasi ose janë të vetëpunësuar ose janë punëtorë në biznesin e familjes.

Pagat në rënie
Të dhënat e raportuara nga INSTAT tregojnë se prej disa vitesh pagat janë në stanjacion të plotë, ndërkohë që çmimet vazhdojnë të rriten. Pas tre vitesh ngrirje, qeveria vendosi që vitin e kaluar të rrisë pagat për punonjësit e shtetit me 7-10 për qind. Por kjo rritje nuk mjafton as për të kompensuar rritjen e çmimeve, pasi inflacioni kumulativ për periudhën 2013-2017 është mbi 12 për qind.

Në sektorin privat situata është edhe më e rënduar. Sipas të dhënave nga INSTAT, prej 4 vitesh, bizneset jo vetëm që nuk i kanë rritur rrogat, por madje i kanë ulur ato duke përkeqësuar gjendjen financiare të atyre që jetojnë me të ardhura nga puna.

Edhe pse qeveria trumbeton se ekonomia po rritet shumica e qytetarëve, mirëqenia për shumicën e qytetarëve është përkeqësuar.

Sipas Bankës Botërore të ardhurat nga puna, përbëjnë 53 për qind të të ardhurave totale për familjet shqiptare. Rënia reale e rrogave bën që shumica e familjeve të jetojnë me më pak të ardhura se sa kishin para 4 viteve.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook