Ballina Kryesore Qofte të shëndetshme me karrota dhe shije të shkëlqyer për ju dhe...

Qofte të shëndetshme me karrota dhe shije të shkëlqyer për ju dhe familjen tuaj

Të hash shëndetshëm është shumë e rëndësishme, ndaj dhe përzgjedhja e ushqimeve që konsumojmë duhet bërë në mënyrë shumë të kujdesshme.

Ju paraqisim një recetë të thjeshtë dhe mjaft të shijshme për ju dhe familjen tuaj të dashur.

Përbërësit për 4 persona:  5 patate të mëdha, 3 karota,  2 kunguj, 4 qepë të njoma ose 1 qepë e thatë e vogël,  borzilok, majdanoz dhe pak hudhër e freskët të grira imët, 2 lugë vaj ulliri, 4 lugë gjizë, 80 g djathë kaçkavall i grirë, 2 të bardha vezësh,  galetë, sipas nevojës (bukë e thekur e grirë)
kripë e piper sipas nevojës , vaj kikiriku ose vaj ulliri për t’i skuqur.

Përgatitja: Pasi t’i lajmë, patatet i ziejmë me gjithë lëkurë në tenxhere me ujë të valuar, derisa kur të bëjmë provën me majën e një thike, ajo të futet lehtësisht. Ndërkohë, kungujt e larë dhe karotat e qëruara i presim në kubikë të vegjël. Në një tigan të thellë me pak vaj ulliri, hedhim në fillim qepën e grirë imët, kungujt, karotat bashkë me majdanozin dhe borzilokun. I spërkasim me pak kripë e piper, i vëmë kapakun dhe i lëmë në zjarr për 10 minuta duke i përzier herë pas here. E heqim tiganin nga zjarri dhe e lëmë mënjanë. I hedhim në një tas që të ftohen. Patateve të ziera u qërojmë lëkurën dhe ashtu të nxehta siç janë i shtypim mirë me shtypëse patatesh ose pirun. I shtojmë te tasi ku kemi perimet e tjera bashkë me gjizën, djathin e grirë, të bardhat e vezëve dhe 2-3 lugë galetë.
I përziejmë sa të kemi një brumë të butë, por që nuk ngjit, prandaj nëse është nevoja shtojmë akoma galetë. Marrim me dorë pak nga brumi duke i dhënë formë të rrumbullakët, i lyejmë në një pjatë ku kemi hedhur galetë dhe i shtypim me dorë për t’i bërë të sheshta. Vëmë një tigan në zjarr me pak vaj kikiriku dhe i skuqim qoftet nga të dyja anët. I shërbejmë me pak sallatë jeshile. Sipas dëshirës, mund t’i pjekim edhe në furrë. I vendosim në tavën ku kemi shtruar letër furre, i lyejmë sipër me pak vaj ulliri dhe i fusim në furrën e ngrohur më parë në temperaturën 180° C, ku i pjekim për rreth 25/30 minuta ose derisa të shohim që kanë marrë ngjyrë nga të dyja anët.

LEXO EDHE:  Hiqni dorë përfundimisht nga produktet kozmetike, këto 5 ushqime veprojnë më mirë në lëkurën tuaj