Ballina Kryesore Rama reagon pas mesnate për “listën e zezë”, i shton makthin administratës:...

Rama reagon pas mesnate për “listën e zezë”, i shton makthin administratës: Ferri ju pret, nuk keni parë gjë akoma!

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot pas mesnate lidhur me reagimet e shumta për listën me 100 emra zyrtarësh që sipas tij janë denoncuar si abuzues me pushtetin.

Postimi i plotë i kryeministrit, Edi Rama

PER LULET MOS ME PREK

Jam shumë i impresionuar nga reagimet e zhurmshme të luleve “Mos më prek” për emrat e zyrtarëve të rreshtuar në përmbledhjen e raportit të postimit Eksperienca Juaj Negative! Çfarë ka ndodhur që deri edhe opozita e vjetër dhe e re, qenkan alarmuar në pikën që të vënë kujën përmes vetë udhëheqësve të tyre?! Kësaj i thonë tamam, “Bir Selman i nënës kë të qaj më parë?!”…
Sidoqoftë po jap një sqarim për kë ka veshë të dëgjojë:
E para, emrat janë nxjerrë nga komentet e miqve të këtij rrjeti social, pra kanë qenë aty, në postimin prej ku janë përmbledhur dhe nuk janë as “listë e zezë”, as “listë shtrigash”, as kurrëfarë gjëje tjetër përveçse një përmbledhje mekanike që ka bërë Skuadra e Shënimeve.
E dyta, përmbledhja në fjalë nuk është as opinioni im, as qëndrim i imi, as qëllim për të hedhur hije mbi ndokënd apo arsye për të vepruar administrativisht ndaj askujt prej individëve në fjalë.
E treta, “lulet mos më prek” dhe gjithë tallavaxhinjtë e katundit politik e mediatik që qenkan kuturisur sot të vënë kujën për demokracinë në rrezik, i këshilloj të ruajnë energjitë se nuk kanë parë e as dëgjuar gjë akoma!
Platforma online e Bashkëqeverisjes me njerëzit e zakonshëm PER SHQIPERINE QE DUAM, e cila do të hapet me fillimin e punës së qeverisë së re, do të jetë ferri i kujtdo që paguhet nga shteti dhe abuzon me njerëzit e zakonshëm, jo vetëm duke u futur duart në xhepa po qoftë edhe duke u sjellë pa etikë me ta. Dhe nuk do të jetë një ferr thashethemesh digjitale nga qytetarë digjitalë që nuk tregojnë identitetin e tyre, po do të jetë ferri i një koalicioni të madh kundër tepsixhinjve, harbutëve dhe parazitëve që paguhen nga taksat tona dhe pa pikën e turpit abuzojnë sa herë u del në shteg njeriu i zakonshëm me hallin e tij!
Pa merak, gjithçka do të jetë morale, ligjore e transparente dhe ferri në fjalë do të jetë prej vërteti jo digjital, sepse boll u cfilit Shqipëria nga Tepsia dhe boll u pataksën njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, nga ferrat e administratës shtetërore që janë rritur prej çerekshekulli në lekurën e Shqipërisë✌️

LEXO EDHE:  Tërmetet "shkundin" Shqipërinë/ Përveç Gjirit të Lalzit, ra në Tiranë dhe pranë Çorovodës