Ballina Kryesore Rrëzimi dekretit për “Lojërat e fatit”, reagon zëdhënësi i Metës: Nuk na...

Rrëzimi dekretit për “Lojërat e fatit”, reagon zëdhënësi i Metës: Nuk na ftuan, por Presidenti…

Një reagim ka ardhur nga Institucioni i Presidentit pas rrëzimit të dekretit për lojërat e fatit.

I pyetur nga “DuaLajm.com” për arsyen e mosparaqitjes së institucionit të Presidentit në seancën e sotme të zhvilluar në Komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi deklaroi se “Institucioni i Presidentit nuk ka patur asnjë njoftim apo ftesë për këtë shqyrtim”.

Gjithashtu ai deklaron se “Institucioni i Presidentit nuk i lëviz asnjë presje qëndrimit për këtë çështje, të bërë edhe publik”.

Komisioni parlamentar i Ekonomisë dhe Financave ka rrëzuar sot Dekretin ePresidentit nr.10850, datë 30.07.2018, “Për kthimin në Kuvend për rishqyrtim të ligjit nr.39/2018, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat’, i ndryshuar”, me qëllim rishikimin e nenit 6 të këtij ligji që lehtëson barrën fiskale të bizneseve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në fushat e lojrave të fatit.

Sipas institucionit të Presidentit, Komisioni i Ekonomisë i drejtuar nga Erion Braçe nuk ka ftuar përfaqësuesit e këtij institucioni të sqarojnë arsyet e kthimit mbrapsht të nenit 6 të ligjit “mbi tatimin mbi të ardhurat”.

Nga ana tjetër në arsyetimin e kthimit të ligjit nga Presidenti i Republikës Ilir Meta më 30 korrik, silleshin në vëmendje dy argumente se përse nuk ka dekretuar këtë ligj dhe nenin 6 të tij.
E para sepse ul barrën fiskale për këtë industri që aktualisht nuk paguan as TVSH dhe nuk sjell ndonjë përfitim ekonomik për buxhetin.

“Sipas nenit 6 të ligjit për tatimin mbi të ardhurat barra fiskale e tatimit ulet nga 15% mbi xhiron, në 15% mbi fitimet bruto. Në mungesë të arsyetimit për qëllimin ekonomik dhe social të iniciativës për miratimin e nenit 6 është qartësisht e evidentueshme që përfituesi real i këtij reduktimi fiskal është vetëm operatori/ët ekonomikë që zhvillojnë aktivitetin e tyre në fushën e lojërave të fatit, ndërkohë që as buxheti i shtetit, dhe as ekonomia në tërësi nuk përfitojnë nga aplikimi i këtij neni”.

LEXO EDHE:  EKSKLUZIVE/ Nesër superndeshja e kampionit shqiptar, Kristian Prenga në kërkim të suksesit të rradhës

Gjithashtu Presidenti ka nënvizuar se trajtimi që iu bëhet në këtë rast lojërave të fatit nuk ndihmon në arritjen e objektivit për dekurajimin e këtij aktiviteti.

“Së dyti, miratimi i nenit 6 të ligjit për tatimin mbi të ardhurat është në kundërshtim me përmbushjen e objektivave social të shtetit shqiptar, bie ndesh me frymën e legjislacionit në fuqi, në funksion të dekurajimit të aktivitetit të biznesit në industrinë e lojërave të fatit, si dhe krijon premisë për shtimin e fenomeneve negative që cënojnë familjen shqiptare”.